HEC Skavica, qeveria po punon për të ndërtuar variantin me digën më të lartë

1275
Lugina e Drinit të Zi, Dibër. Foto: Sami Curri

Intervistë me z. Benet Beci, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), dhënë për revistën “Monitor”.

Projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka ngjallur interes të lartë te donatorët dhe financuesit e mundshëm. Hidrocentrali, që do ta kthente vendin në një lider rajonal në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë, vlerësohet të kushtojë midis 308 deri në 510 milionë euro, në varësi të lartësisë së digës.

Z. Benet Beci, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) thotë në një intervistë për “Monitor” se projekti do të jetë publik dhe ai e shlyen vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vënies në funksionim.

Cilat janë planet për ndërtimin e Skavicës dhe kostot e vlerësuara të tij?

Sikurse është theksuar dhe nga komunikimet e mëparshme, projekti i Hidrocentralit të Skavicës do të jetë një investim publik. Hidrocentrali i Skavicës do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës. Në këtë mënyrë është shumë e dobishme për vendin dhe sistemin tonë elektroenergjetik që ky projekt të jetë një investim publik.

Disa muaj më parë u nënshkrua dhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesë e memorandumit është dhe marrëveshja e bashkëpunimit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës nga kompania amerikane Bechtel, e cila është një ndër kompanitë më prestigjioze botërore në fushën e ndërtimit të veprave hidrike për prodhimin e energjisë elektrike.

Kostot e vlerësuara deri në fazën e parafizibilitetit për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët (deri në kuotën 388 m.m.n.d) dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë (deri në kuotën 443 m.m.n.d).

Nga do të sigurohen burimet e financimit?

Burimet e financimit për projektin janë ende duke u diskutuar mes Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të mundshëm. Deri tani mund të pohojmë se ka interes të lartë për financimin e veprës, si një ndër investimet më të mëdha të mundshme në rajon, në burimet e energjisë së rinovueshme.

Cila është leverdishmëria e këtij projekti, si nga ana financiare, ashtu dhe në drejtim të menaxhimit të energjisë?

Nëse i referohemi alternativës së ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës me digë të lartë, e cila është dhe alternativë më fizibël dhe më e vlefshme për vendin dhe sistemin tonë elektroenergjetik, rezulton që ky projekt e shlyen vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vendosjes në funksionim. Nëse marrim në konsideratë faktin që jetëgjatësia e këtyre investimeve është deri në 100 vite, atëherë duket qartë leverdishmëria ekonomike e investimit.

Së pari, prodhimi i energjisë elektrike: aktualisht Shqipëria, në një vit mesatar, importon energji elektrike në sasi të konsiderueshme dhe prodhimi i pritshëm i hidrocentralit të Skavicës, i cili do të jetë deri 1,000 GWh/vit do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e importit dhe në sigurinë energjetike të vendit.

Nga ana tjetër, leverdishmëria e këtij projekti qëndron në optimizimin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin. Kjo lidhet me faktin e përmendur më sipër që hidrocentrali i Skavicës do të jetë hidrocentrali i parë i vendosur në kaskadën e lumit Drin dhe ndërtimi i tij do të ketë ndikim dhe në hidrocentralet e tjerë të kaskadës.

Zhvillimi i hidrocentralit të Skavicës, sipas alternativës me digë të lartë, do të kishte një efekt të konsiderueshëm në optimizimin e prodhimit në hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin, ku vlerësohet se hidrocentralet ekzistuese mesatarisht do të prodhojnë 80 GWh/vit më shumë energji elektrike nëse Skavica zhvillohet sipas kësaj alternative.

Ndikimi pozitiv i alternativës me digë të lartë është si rezultat i aftësisë së lartë rregullatore që do të ketë rezervuari i hidrocentralit të Skavicës, për shkak të vëllimit të tij, i cili të mundëson që të “magazinosh” energjinë elektrike në trajtën e rezervës hidrike, duke reduktuar shkarkimet e ujit pa prodhim energjie në hidrocentralet ekzistuese.

Një tjetër arsye që ndikon në optimizimin e prodhimit në hidrocentralet ekzistuese është fakti që, nëpërmjet hidrocentralit të Skavicës ne do të kemi më shumë mundësi të mbajmë nivelin e ujit në rezervuarin e hidrocentralit të Fierzës në kuotën më optimale të prodhimit nga ky hidrocentral, duke ulur konsumin specifik të ujit nga ky hidrocentral dhe për pasojë, do të optimizojmë dhe prodhimin.

Cilat janë dhe a do të mbahen parasysh efektet në mjedis dhe ekosistemin dhe popullsinë e zonës?

Sigurisht që zhvillimi i projekteve të kësaj natyre shoqërohet me një ndikim social-mjedisor në zonën e cila preket nga projekti. Edhe në këtë rast, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të shkaktojë përmbytje në zonën ku do të krijohet rezervuari. Për vlerësimin e efekteve që do të ketë ky projekt në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës po realizohet një studim i kujdesshëm, i cili ndër të tjera do të përcaktojë edhe masat zbutëse/kompensuese të nevojshme sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të ketë vetëm efekte negative në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës ku do të krijohet rezervuari, por do të ketë edhe shumë efekte pozitive në këtë zonë, madje efektet pozitive do të jenë dominuese. Konkretisht, zhvillimi i këtij projekti është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në këtë zonë. Gjatë fazës së ndërtimit do të ketë një punësim masiv direkt, por edhe indirekt të banorëve të zonës.

Pas përfundimit të ndërtimit, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e hidrocentralit do të krijojë vende pune të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe cilësore. Vlen të theksohet se aktualisht, hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin janë punëdhënësit më të mëdhenj në zonat ku janë vendosur.

Veç punësimit, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të krijojë kushte të favorshme edhe për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, si turizmi apo peshkimi. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të shoqërohet me një infrastrukturë të përmirësuar. Në këtë drejtim do të kemi ndërtime të reja në infrastrukturë, si ura, rrugë, qendra banimi, godina shërbimesh, qendra shëndetësore, arsimi etj.

Nga ana tjetër, nëse shohim pak më gjerë në të gjithë basenin e Drinit, një nga efektet më pozitive sociale e mjedisore të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës do të jetë ndikimi i konsiderueshëm në reduktimin e përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës, duke rritur kapacitetet për akumulimin e prurjeve në rezervuarët e hidrocentraleve të kaskadës në vitet kur prurjet janë të larta.

Benet Beci, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Foto: KESH

Përballë këtyre kostove, cilat do të jenë avantazhet në ekonomi?

Avantazhet në ekonomi të këtij projekti do të konstatohen që në fazat e hershme të ndërtimit të hidrocentralit, duke hapur vende të reja pune dhe duke krijuar mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të ketë ndikim të madh në sektorin elektroenergjetik në vendin tonë.

Nëse i referohemi sasisë së energjisë që kemi importuar gjatë 10 viteve të fundit, rezulton që mesatarisht, ne shpenzojmë 100 milionë euro në vit për këto importe dhe zhvillimi i hidrocentralit të Skavicës do të reduktonte mesatarisht 55% importet vjetore të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, hidrocentrali i Skavicës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike dhe do të reduktojë faturat që paguan vendi ynë për importin e energjisë elektrike.

Në projektet e ndërlidhjes së këtij viti u miratua dhe një projekt për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës, me vlerë 42.7 milionë euro. Çfarë synon projekti?

Hidrocentrali i Fierzës, aktualisht është njësia gjeneruese më e rëndësishme e sistemit elektroenergjetik, i cili prodhon mesatarisht 1328 GWh/vit dhe luan rolin e rregullatorit 1-vjeçar të Kaskadës. Agregatet e hidrocentralit të Fierzës janë instaluar rreth 40 vjet më parë dhe kanë kaluar vetëm një rehabilitim të pjesshëm në vitet 2004-2006, gjatë të cilit u zëvendësuan dy rotorë të dy turbinave, kurse dy rotorët e dy turbinave të tjera dhe të katër gjeneratorët nuk janë përfshirë asnjëherë në rehabilitim të plotë. Në të tilla kushte, gjendja teknike e agregateve dhe sistemeve elektromekanike është e amortizuar dhe është i domosdoshëm rehabilitimi i tyre.

Bashkimi Europian, nëpërmjet instrumentit të Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë ka përzgjedhur të mbështesë financiarisht rehabilitimin e një hidrocentrali në Ballkanin Perëndimor, me një grant prej 8.5 milionë eurosh. Ky investim do të mbështetet dhe nga KfW dhe Qeveria Shqiptare. Investimi do të realizojë rehabilitimin e plotë elektromekanik të hidrocentralit të Fierzës, i cili më konkretisht, konsiston në zëvendësimin e 4 gjeneratorëve, 2 turbinave, si dhe sistemin elektromekanik të kësaj njësie gjeneruese.

Realizimi i këtij investimi do të mundësojë, rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga Hidrocentrali i Fierzës, për shkak të rritjes së eficiencës në prodhim me të paktën 4%, uljen e shpenzimeve për mirëmbajtjen periodike, rritjen e gatishmërisë së veprës, si dhe rritjen e jetëgjatësisë së veprës dhe me të paktën 25 vjet.

Çfarë po bëhet në afatin e gjatë për të diversifikuar burimet e prodhimit të energjisë, në mënyrë që të ulet varësia nga ajo hidrike?

Diversifikimi i burimeve gjeneruese të energjisë elektrike është një kriter për vendin tonë, pasi aktualisht, prodhimi i energjisë në vendin tonë bazohet vetëm në burime hidrike. Në këtë drejtim, edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke punuar me plane afatmesme dhe afatgjatë. Aktualisht jemi duke përgatitur një projekt për ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues, mbi sipërfaqen e rezervuarit të Vaut të Dejës.

Projekt do të jetë i pari në vendin tonë për sa i përket kapacitetit të instaluar dhe teknologjisë që do të përdoret. Zhvillimi i këtij projekti po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë financiar, BERZH-in, i cili do të mbështesë financiarisht dhe ndërtimin e këtij impianti. Jemi drejt përfundimit të fazës studimore dhe shumë shpejt do të nisim procedurat pasuese për ndërtimin e këtij impianti.

Paralelisht po punojmë edhe për një tjetër projekt në fushën e energjisë diellore, i cili konsiston në ndërtimin e një impianti fotovoltaik prej rreth 5 MWp, në një nga digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Sipas parashikimit aktual, brenda këtij viti, të dy këto projekte do të jenë në fazën ndërtimore. Sigurisht që këto projekte, në të ardhmen, do të ndiqen nga të tjerë që do të çojnë në divesifikimin e portofolit të prodhimit të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.