Pas rritjes së fluksit, rikthehen premtimet për investime në Bllatë. Beja: Do të investohet 1.7 milionë euro

707
Vizita e drejtorit të Doganat Shqiptare, Besmir Beja, në Bllatë, gjatë monitorimit të situatës pas devijimit të trafikut të mallrave.

Pika e Kalimit Kufitar në Bllatë pritet të përfitojë një investim prej rreth 1.7 milionë eurosh për zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në kuadër të një projekti me mbështetjen e Banka Botërore.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Doganave Shqiptare, Besmir Beja, gjatë një deklarate për mediat në këtë pikë kufitare. Sipas tij, ndërhyrjet parashikojnë hapjen e korsive të reja dhe rritjen e kapaciteteve për përpunimin e mjeteve dhe mallrave.

“Është parashikuar të bëhen investime të reja për hapjen e korsive të reja dhe, në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore, të rriten kapacitetet e kësaj pike kufitare,” deklaroi Beja. Ai sqaroi se investimi i plotë për Bllatën është parashikuar të realizohet gjatë vitit 2027, ndërsa fondet fillestare janë planifikuar në buxhetin e vitit 2026.

Sipas drejtorit të Doganave, investimi do të përfshijë edhe ndërhyrje në segmentin rrugor që lidh pikën doganore shqiptare me atë maqedonase, një distancë rreth 500 metra, e cila aktualisht paraqitet e amortizuar. Ky segment do të rikonstruktohet së bashku me ndërtimin e korsive të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës lidhëse mes dy pikave kufitare.

Deklarata u bë në kushtet e rritjes së fluksit në këtë pikë kufitare pas devijimit të trafikut nga Qafë-Thana, për shkak të bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas. Beja pohoi se kamionët janë ridrejtuar dhe se aktualisht nuk ka mjete të bllokuara në Qafë-Thanë, ndërsa qarkullimi në Bllatë po zhvillohet normalisht.

Edhe më parë janë bërë premtime për investime në këtë pikë kufitare, por ato nuk janë materializuar. Në vitin 2023, gjatë një vizite në Dibër, ministri i atëhershëm i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se do të përmirësohej funksionimi dhe infrastruktura në pikat kufitare të zonës, përfshirë edhe Bllatën. Megjithatë, në terren situata mbetet e pandryshuar: kontrollet vijojnë të kryhen në kushte të kufizuara infrastrukturore si nga pala shqiptare ashtu edhe nga ajo maqedonase, ndërsa investimet e paralajmëruara kanë mbetur në nivel deklaratash dhe dokumentesh, pa reflektuar në përmirësim konkret të kushteve të punës dhe qarkullimit.