Bashkia Bulqizë ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook pas tensioneve të krijuara në dëgjesën publike të zhvilluar më 2 prill në Njësinë Administrative Martanesh, lidhur me dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.
Në reagim, bashkia sqaron se dëgjesa ishte organizuar në kuadër të procedurës ligjore për dhënien në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor publik, duke theksuar se takimi kishte qenë i hapur për banorët, bizneset dhe grupet e interesit.
Sipas Bashkisë Bulqizë, qëllimi i dëgjesës ka qenë garantimi i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku çdo palë e interesuar të kishte mundësinë të informohej dhe të shprehte shqetësimet e saj.
Në postimin e publikuar në Facebook, institucioni ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga një pjesë e banorëve se bashkia synon t’u marrë tokat.
“Procedura nuk lidhet me marrjen e pronës së qytetarëve, por me dhënien në përdorim të sipërfaqeve që janë fond pyjor dhe kullosor publik, në pronësi të bashkisë dhe të administruara sipas ligjit”, thuhet në reagim.
Më tej, Bashkia Bulqizë u bën thirrje qytetarëve që të informohen nga burime zyrtare dhe të mos bien pre e deklaratave që, sipas saj, krijojnë tensione dhe keqkuptime në komunitet.
Reagimi i bashkisë vjen pasi dëgjesa publike e zhvilluar në Martanesh u shoqërua me tensione të dhe kundërshti të banorëve për dhënien e tokave në ankand.
Me qindra banorë morën pjesë në takim, ku shprehën shqetësimin se sipërfaqet kullosore dhe pyjore që po diskutohen mund të përdoren për projekte energjetike, kryesisht për vendosjen e paneleve fotovoltaike.
Banorët deklaruan se nuk janë kundër investimeve, por kundërshtojnë prekjen e kullotave dhe zonave që mbajnë gjallë blegtorinë dhe ekonominë familjare.
Një pjesë e tyre u shprehën se sipërfaqet në fjalë janë përdorur prej dekadash nga familjet e Martaneshit dhe se mungesa e sqarimeve konkrete ka shtuar dyshimet për një plan më të gjerë në zonë.
Tensionet e krijuara në sallë sollën edhe largimin e përfaqësuesve të Bashkisë Bulqizë nga dëgjesa, ndërsa banorët paralajmëruan se do të vijojnë kundërshtinë e tyre nëse preken kullotat tradicionale.
POSTIMI I PLOTË:
Sqarim publik për dëgjesën mbi dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore në Njësinë Administrative Martanesh.
Nisur nga situata e krijuar ditën e djeshme në Njësinë Administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë sqaron se dëgjesa publike e njoftuar më datë 10 Mars 2026 dhe e zhvilluar më 2 Prill 2026 është organizuar në kuadër të procedurës për “Dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore” nëpërmjet ankandit publik.
Kjo dëgjesë ka qenë e hapur për të gjithë banorët, bizneset dhe grupet e interesit, me qëllim garantimin e një procesi transparent, të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku çdo palë e interesuar të kishte mundësinë të informohej, të merrte pjesë dhe të shprehte mendimet apo shqetësimet e saj.
Dhënia në përdorim e sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor publik, pra në pronësi dhe administrim të Bashkisë Bulqizë në këtë rast, kryhet nëpërmjet ankandit publik, në përputhje me VKM nr. 54, datë 05.02.2014 dhe Udhëzimin nr. 1, datë 09.06.2016. Sipas këtij kuadri ligjor, sipërfaqet e propozuara duhet të mos jenë objekt pretendimi për rikthimin e pronës nga ish-pronarët dhe të mos jenë objekt tjetërsimi për 10 vite në rastet kur parashikohen investime publike.
Legjislacioni parashikon gjithashtu që personat fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, mund të paraqesin në çdo kohë kërkesë për ushtrimin e veprimtarive në fondin pyjor dhe kullosor në administrim të bashkisë, ndërsa sipërfaqet e dhëna në përdorim mund të shfrytëzohen vetëm për aktivitetet e lejuara me ligj, duke respektuar kriteret mjedisore, ekonomike dhe interesin publik.
Pagesa e qirasë kryhet çdo vit, duke nisur nga data e lidhjes së kontratës, ndërsa të ardhurat e siguruara nga këto sipërfaqe derdhen në buxhetin e bashkisë. Këto të ardhura mund të përdoren më pas për investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve publike dhe projekte të tjera në dobi të komunitetit.
I gjithë informacioni lidhur me këtë procedurë ka qenë publik dhe i aksesueshëm si në faqen zyrtare të Bashkisë Bulqizë, ashtu edhe në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik (duke nisur nga njoftimi i ankandit dhe në vijim të çdo hapi të procesit) me qëllim që çdo qytetar apo subjekt i interesuar të kishte mundësinë të informohej në kohë, të njihte procedurat dhe të bëhej pjesë.
Sa i përket pretendimeve se ‘Bashkia do t’u marrë tokën banorëve’, Bashkia Bulqizë sqaron se ky është një interpretim i pavërtetë dhe dezinformues, i cili nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore. Procedura nuk lidhet me marrjen e pronës së qytetarëve, por me dhënien në përdorim të sipërfaqeve që janë fond pyjor dhe kullosor publik, në pronësi të bashkisë dhe të administruara sipas ligjit.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që qytetarët të informohen nga burime zyrtare dhe të mos bien pre e deklaratave të pavërteta që synojnë të krijojnë tensione, keqkuptime apo reagime të panevojshme në komunitet. Bashkia Bulqizë ka ndjekur dhe do të vijojë të ndjekë çdo hallkë ligjore të procesit, duke mbetur në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve.









