Fushë-Bulqizë, banorët ankohen për rrugët e paasfaltuara dhe mungesën e ujit

39
Dëgjesa publike në Fushë-Bulqizë

Gjendja e rrugëve rurale dhe mungesa e ujit për vaditje e të pijshëm ishin ndër shqetësimet e ngritura nga banorët gjatë dëgjesës publike në Fushë-Bulqizë, në kuadër të konsultimeve për buxhetin e Bashkisë Bulqizë për vitin 2027.

Banorët kërkuan ndërhyrje në rrugët që lidhin fshatrat me zonat e tjera, duke pretenduar se disa segmente kanë mbetur pa asfalt dhe pa mirëmbajtjen e nevojshme. Sipas tyre, në disa pjesë rrugët janë mbushur me gropa, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe qarkullimin e përditshëm.

Gjatë diskutimeve u përmendën fshatra si Dragu, Teqja e Madhe dhe Dushaj.

Një prej shqetësimeve lidhej me segmente të shkurtra rrugore që, sipas banorëve, nuk janë përfshirë në punimet e kryera. Ata kundërshtuan faktin që disa zona kanë përfituar nga ndërhyrjet, ndërsa pjesë të tjera vijojnë të mbeten pa asfalt dhe pa ndërhyrje të mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Ne nuk kemi as asfalt, as zhavorr. Na kanë mbuluar gropat”, ishte një nga ankesat e shprehura gjatë diskutimit, ku banorët kërkuan që investimet të shtrihen edhe në pjesët e lëna jashtë punimeve.

Sipas tyre, problemi nuk mund të konsiderohet i zgjidhur vetëm me ndërhyrje në disa segmente, nëse pjesa tjetër e fshatit vijon të ketë vështirësi në qarkullim. Ata kërkuan që rrugët të trajtohen si një nevojë e gjithë komunitetit dhe jo vetëm e zonave ku kanë përfunduar punimet.

Përveç rrugëve, gjatë dëgjesës u ngrit edhe problemi i furnizimit me ujë për vaditje, veçanërisht gjatë muajve të verës. Një banor foli për vështirësitë me të cilat përballen fermerët.

Sipas diskutimit, problematika është ngritur edhe më herët, por banorët kërkojnë që ajo të marrë një zgjidhje konkrete dhe të mos mbetet vetëm në nivelin e premtimeve.

Gjatë takimit u përmendën edhe ndërhyrje të ndara në disa lote në rrugën e fshatit Dragu, ndërsa banorët kërkuan informacion më të qartë se kur do të përfundojnë punimet dhe nëse do të përfshihen edhe segmentet që, sipas tyre, kanë mbetur jashtë investimeve.

Dëgjesa në Fushë-Bulqizë u zhvillua në kuadër të përgatitjes së buxhetit të vitit 2027.

REKLAMË