Protesta e të rinjve përfshin qarkun Dibër, përplasje në Burrel e Peshkopi, pa tubime në Bulqizë dhe Klos

727
Protesta në Peshkopi

Protestat e nxënësve dhe të rinjve kundër qeverisë janë shtrirë edhe në qarkun Dibër, ku gjatë ditës së premte janë regjistruar përplasje me Policinë e Shtetit në Burrel dhe Peshkopi. Ndërkohë, në Bulqizë dhe Klos nuk pati protesta.

Në Burrel, gjimnazistët dolën në protestë duke bllokuar hyrjen e qytetit, çka solli tensione dhe përplasje me policinë. Gjatë incidenteve, disa protestues dëmtuan një furgon policie, ndërsa efektivët nisën shoqërimin e demonstruesve. Sipas raportimeve, nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” u mbajtën brenda ambienteve të shkollës për të mos iu bashkuar protestës së nxënësve të “28 Nëntorit”.

Përplasje u regjistruan edhe në Peshkopi, fillimisht në hyrje të Bashkisë Dibër dhe më pas në bulevardin e qytetit. Edhe atje, protestuesit dëmtuan një furgon të policisë, ndërsa tentativa e efektivëve për të shoqëruar një të ri shkaktoi përplasje të tjera.

Protestat u zhvilluan në kuadër të lëvizjes së të rinjve kundër qeverisë, me thirrjen “Rama, jep dorëheqjen!”. Në disa qytete të vendit, nxënës dhe studentë bojkotuan mësimin për t’iu bashkuar tubimeve.

Përshkallëzimi i protestave vjen pas përplasjeve të së martës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ndërsa tubimet kundër qeverisë vijojnë prej muajsh, fillimisht të nxitura nga kundërshtimi ndaj projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

REKLAMË