Reforma e re administrativo-territoriale e Shqipërisë, e miratuar nga Kuvendi në orët e para të 9 tetorit me 85 vota pro dhe 34 kundër, përballet me kritika nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës. Në raportin monitorues të datës 7 tetor 2026, institucioni ngre shqetësime për konsultimin e qytetarëve për ndryshimin e kufijve administrativë, përqendrimin e kompetencave në nivel qendror dhe financimin e pamjaftueshëm të bashkive.
Votimi në Kuvend u zhvillua pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa jashtë Parlamentit u mbajtën protesta kundër reformës. Projektligji i Partisë Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore me bashki të tjera.
Mazhoranca e ka argumentuar reformën me nevojën për të përmirësuar organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Ndërsa opozita e kundërshtoi hartën e re, duke kërkuar referendum dhe duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e komuniteteve dhe pasojat që ndryshimet mund të kenë në ofrimin e shërbimeve publike.
Këshilli i Europës: Qytetarët nuk u konsultuan në kohën e duhur
Një nga kritikat kryesore të raportit lidhet me mënyrën se si u zhvillua konsultimi për ndryshimin e kufijve administrativë. Sipas Kongresit, procesi u vu në lëvizje në një fazë të avancuar të reformës dhe nuk duket se u garantoi banorëve të zonave të prekura mundësinë për të marrë pjesë në mënyrë kuptimplotë në vendimmarrje.
“Procedura e konsultimit për ndryshimet e propozuara të kufijve administrativë vendorë u iniciua në një fazë mjaft të avancuar të procesit të reformës dhe nuk duket se ka garantuar pjesëmarrjen kuptimplotë dhe në kohën e duhur të banorëve të komuniteteve të prekura në procesin e vendimmarrjes”, thuhet në raport.
Raportuesit theksojnë se konsultimi duhet të zhvillohet përpara marrjes së vendimit përfundimtar dhe të ketë ndikim real në proces, në vend që të jetë një procedurë formale.
Për këtë çështje, raporti arrin në përfundimin se situata në Shqipëri është “pjesërisht në përputhje me nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore”.
Ky nen parashikon që ndryshimet e kufijve të autoriteteve vendore të mos bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura. Kjo nuk nënkupton se referendumi është automatikisht i detyrueshëm në çdo rast, por se qytetarët duhet të dëgjohen në kohën e duhur, kur qëndrimet e tyre mund të ndikojnë ende në vendimmarrje.
Reforma shkrin 15 bashki, mes kundërshtimeve nga banorët
Harta e re territoriale parashikon që 15 bashki të humbasin statusin e tyre dhe të bashkohen me njësi të tjera vendore. Mes ndryshimeve është bashkimi i Klosit me Matin, Fushë-Arrëzit me Pukën dhe Rrogozhinës me Kavajën. Dimal dhe Poliçan bashkohen me Beratin, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, ndërsa Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën dhe Selenica me Vlorën.
Ndryshimet e tjera përfshijnë bashkimin e Maliqit me Korçën, Këlcyrës me Përmetin, Memaliajt me Tepelenën, Libohovës me Gjirokastrën dhe Prrenjasit me Librazhdin.
Reforma është kundërshtuar nga banorë të disa prej zonave që preken nga shkrirja e bashkive, të cilët kanë ngritur shqetësime për largimin e shërbimeve administrative, rritjen e distancave dhe dobësimin e përfaqësimit lokal.
Në Klos, 5,040 banorë kanë firmosur një peticion kundër bashkimit me Matin, ndërsa Këshilli Bashkiak është shprehur kundër shkrirjes së bashkisë. Banorët argumentojnë se Klosi ka mundësi të funksionojë si njësi më vete dhe se bashkimi mund t’ua vështirësojë marrjen e shërbimeve. Pavarësisht kundërshtimeve, Kuvendi e miratoi reformën.
Raporti ngre shqetësime edhe për kompetencat dhe financat e bashkive
Kritikat e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale nuk kufizohen vetëm te konsultimi për ndryshimet territoriale. Raporti evidenton gjithashtu një prirje drejt centralizimit të kompetencave, duke vënë në dukje se autoritetet vendore kryejnë kryesisht funksione mbështetëse në ofrimin e shërbimeve publike.
“Ekziston një prirje drejt centralizimit të kompetencave, ku autoritetet vendore kryejnë kryesisht funksione mbështetëse në ofrimin e shërbimeve publike vendore thelbësore”, thuhet në dokument.
Një tjetër problem i evidentuar është mospërputhja mes përgjegjësive të bashkive dhe burimeve financiare që u vihen në dispozicion për t’i përmbushur ato.
“Burimet financiare që u alokohen autoriteteve vendore nuk janë në përpjesëtim me përgjegjësitë e tyre”, thekson raporti, duke vënë në dukje se bashkitë detyrohen të mbulojnë mungesat e financimit me burimet e tyre, të cilat shpesh nuk janë të mjaftueshme.
Në përfundimet e tij, Kongresi kërkon që funksionimi i pushtetit vendor të mbështetet te parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit, më shumë autonomi vendimmarrëse për autoritetet lokale dhe financim në përpjesëtim me përgjegjësitë që ato kanë.
Raporti nuk përcakton se Shqipëria duhet të ketë një numër të caktuar bashkish dhe as nuk rekomandon një hartë të veçantë territoriale. Vërejtjet e tij përqendrohen te mënyra se si zhvillohet konsultimi me komunitetet, ndarja e kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, si dhe sigurimi i burimeve të nevojshme për ushtrimin e funksioneve të bashkive.










