
Një 49-vjeçar nga Bullgaria është arrestuar sot në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, pasi në automjetin e tij u gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për pajisjen e tyre me pasaporta bullgare. Në të njëjtën çështje janë proceduar penalisht administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, në Bashkinë Bulqizë.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, operacioni i koduar “Identiteti” u finalizua pas rreth një muaji hetimesh nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Dibër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Dibër.
Në dalje të PKK Bllatë u ndalua shtetasi E.T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Policia Kufitare në automjetin që ai drejtonte, u gjetën dokumentet e dyshuara të falsifikuara, të cilat sipas hetimeve kishin si qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me pasaporta bullgare.
Për këtë rast nisi procedimi penal edhe ndaj Ndriçim Sulës, 53 vjeç, administrator i njësisë administrative Ostren, si dhe ndaj Bajram Matës, 62 vjeç, ish-administrator i kësaj njësie. Sipas policisë, të dy dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrës kanë lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, në kundërshtim me ligjin, për t’u krijuar mundësinë e përfitimit të shtetësisë bullgare.
Gjatë ditës së sotme, forca të shumta policie janë parë në godinën e Bashkisë Bulqizë, ku janë kryer veprime hetimore dhe është bërë marrja e dokumenteve që lidhen me çështjen e falsifikimit të dokumenteve për pajisjen me pasaporta bullgare. Burime bëjnë me dije se verifikimet janë përqendruar tek dokumentacioni administrativ i njësisë Ostren dhe procedurat e lëshimit të vërtetimeve të gjendjes civile.
Ky nuk është rasti i parë që emri i njësisë administrative Ostren përfshihet në hetime të tilla. Në dhjetor të vitit 2023, policia arrestoi tre zyrtarë të Bashkisë Bulqizë, mes tyre administratorin e atëhershëm të Ostrenit, Luan Mjeshtri, vëllai i kryetares së bashkisë Festime Mjeshtri, si dhe dy punonjës të tjerë vendorë.
Ata akuzoheshin për lëshimin e vërtetimeve të origjinës kundrejt pagesave monetare, që më pas përdoreshin për pajisjen me pasaporta bullgare. Sipas hetimeve të asaj kohe, vërtetimet e falsifikuara shiteshin kundrejt shpërblimit monetar dhe shërbenin për regjistrimin e qytetarëve në shoqatën “Golloborda”, si hap për marrjen e shtetësisë bullgare.
Zona e Gollobordës, që përfshin Ostrenin, Trebishtin në Bulqizë, por edhe në Librazhd, prej vitesh është kthyer në një nga pikat më të përfolura për skemat e pajisjes me pasaporta bullgare, për shkak të emigrimit masiv të banorëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.








