Bllata përballë fluksit të shtuar të udhëtarëve dhe mjeteve të mallrave pas bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas

487
Drejtori i Doganave, Besmir Beja, gjatë inspektimit në pikën kufitare të Bllatës.

Pika e Kalimit Kufitar në Bllatë, që lidh Shqipërinë me Maqedonia e Veriut, po përballet me fluks të shtuar mjetesh pas devijimit të trafikut të mallrave nga dogana e Qafë-Thanës, për shkak të bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas.

Kjo pikë kufitare ka kapacitete të kufizuara infrastrukturore dhe një godinë të vogël për përpunimin doganor. Në anën shqiptare, rruga dhe ambientet përreth paraqiten të amortizuara, ndërsa asfalti është i dëmtuar pothuajse tërësisht. Sipas të dhënave nga terreni, në orare të caktuara janë krijuar radhë kamionësh që shkojnë deri në rreth 2 kilometra.

Fluksi në Bllatë është rritur edhe prej hapjes së Rrugës së Arbërit, pasi kjo pikë është më e afërta për lidhjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Banorë nga zona si Dibra dhe Bulqiza e përdorin këtë pikë për lëvizje të përditshme, ndërsa furnizimi me produkte ushqimore dhe karburant në Dibër të Maqedonisë së Veriut bëhet për shkak të diferencës së çmimeve.

Të enjten, Drejtori i Përgjithshëm i Doganat Shqiptare, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë në Degën Doganore Bllatë për të ndjekur zbatimin e masave të marra pas devijimit të fluksit nga Qafë-Thana. Sipas njoftimit zyrtar, kamionët që nuk mund të kalonin për shkak të situatës rrugore po përpunohen në këtë pikë, çka ka rritur ndjeshëm volumin e punës.

Sipas vendimit të autoriteteve doganore, mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut ose përmes saj do të kalojnë përkohësisht nga Bllata, ndërsa ato që vijnë nga Greqia do të përdorin pikën e Kakavijë. Pala maqedonase ka lejuar kalimin e kamionëve të ngarkuar nga ora 12:00 deri në 22:00, ndërsa mjetet e pangarkuara lejohen gjatë gjithë 24 orëve. Nuk lejohet kalimi i produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe i boteve të naftës, të cilat duhet të devijohen përmes Kosovës.

Ambientet e kufizuara dhe koha e përpunimit doganor kanë sjellë vonesa, pavarësisht se në hyrje dhe dalje po punohet me nga dy sportele nga të dyja palët. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë një afat se kur do të normalizohet qarkullimi në aksin Librazhd–Përrenjas.