Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar këtë të premte strukturën organizative dhe nivelin e pagave për administratën e bashkisë dhe Agjencinë e Funksioneve të Transferueshme për vitin 2027. Vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimeve të paraqitura nga administrata e bashkisë, ndërsa mbledhja vjen pas dështimit të seancës së parashikuar dy ditë më parë, për shkak të mungesës së kuorumit.
Vendimet morën 11 vota pro dhe 2 kundër, duke kaluar me mbështetjen e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të partive të vogla të rreshtuara në krah të saj që në fillim të këtij mandati.
Sipas strukturave të miratuara, Bashkia Bulqizë do të ketë 300 punonjës, ndërsa Agjencia e Funksioneve të Transferueshme do të ruajë numrin prej 130 punonjësish. Në total, të dyja strukturat përfshijnë rreth 430 pozicione pune.
Rreth 370 milionë lekë për pagat
Nga përllogaritja e tabelave bashkëshoqëruese të vendimeve, fondi vjetor i pagave për 300 punonjësit e Bashkisë Bulqizë arrin në rreth 272 milionë lekë, duke përfshirë pagat bazë dhe shtesat fikse për natyrë të veçantë pune.
Ndërkohë, për 130 punonjësit e Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme, fondi vjetor vlerësohet paraprakisht në rreth 90-100 milionë lekë. Kështu, shpenzimet për pagat e të dyja strukturave llogariten në rreth 360-370 milionë lekë në vit.
Kjo shumë është më shumë se dyfishi i të ardhurave të veta që Bashkia Bulqizë ka planifikuar të mbledhë gjatë vitit 2027. Sipas paketës fiskale, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore parashikohen në 160,15 milionë lekë.
Megjithatë, bashkia financohet edhe nga transfertat e pakushtëzuara dhe të kushtëzuara nga buxheti i shtetit. Në dokumentet e strukturave dhe pagave nuk jepet një ndarje e detajuar se sa nga fondi i përgjithshëm do të mbulohet nga të ardhurat vendore dhe sa nga transfertat qendrore.
Përllogaritjet e mësipërme janë nxjerrë nga tabelat e pagave, pasi vendimet nuk paraqesin një fond të vetëm të përmbledhur për të dyja strukturat. Shumat nuk përfshijnë të gjitha kontributet e punëdhënësit dhe shtesat e tjera të mundshme.
Kryetarja me pagë 246 mijë lekë, drejtorët 144 mijë
Në strukturën e miratuar të Bashkisë Bulqizë, paga më e lartë i takon kryetares Festime Mjeshtri, me 246 mijë lekë në muaj.
Dy zëvendëskryetarët do të paguhen me nga 189.625 lekë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm me 174.250 lekë. Drejtorët e drejtorive kanë një pagë prej 144.525 lekësh, ndërsa përgjegjësit e sektorëve 109 mijë lekë.
Për 43 specialistët e administratës është miratuar paga prej 75 mijë lekësh, ndërsa tre këshilltarët e kryetares do të paguhen me nga 109 mijë lekë.
Administratorët e Bulqizës, Shupenzës dhe Gjoricës do të marrin nga 148.625 lekë në muaj, më shumë se drejtorët e drejtorive të bashkisë.
Ndërsa administratorët e Zërqanit, Ostrenit, Fushë-Bulqizës, Martaneshit dhe Trebishtit do të paguhen me nga 143.500 lekë.
Në nivelin më të ulët të pagave janë sanitaret, pjatalarëset dhe punonjësit mbështetës, me 50 mijë lekë në muaj. Edukatoret e kopshteve do të paguhen me 61 mijë lekë. Kjo kategori përbën edhe grupin më të madh të punonjësve në arsimin parashkollor, ku janë gjithsej 77 persona, nga të cilët 54 edukatore.
Për drejtorët, përgjegjësit dhe edukatoret janë parashikuar gjithashtu shtesa për kualifikim, në masën 10, 20 ose 30 për qind, në varësi të kategorisë përkatëse.

Agjencia e Funksioneve të Transferueshme ruan 130 punonjës
Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli Bashkiak lidhet me strukturën dhe pagat e Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme, e cila mbulon shërbime si mirëmbajtja e institucioneve publike, rrugët rurale, transporti, pastrimi, gjelbërimi dhe menaxhimi i mbetjeve.
Për vitin 2027, agjencia do të ruajë numrin prej 130 punonjësish, të njëjtë me atë të miratuar në vitin 2025. Në relacionin shpjegues thuhet se nuk ka ndryshime të propozuara në numrin e punonjësve.
Pjesën më të madhe të personelit e zënë punonjësit e pastrimit. Në strukturë janë 42 punëtorë pastrimi, që përbëjnë rreth 32 për qind të të gjithë punonjësve të agjencisë. Paga bazë e tyre është 50 mijë lekë, ndërsa përfitojnë edhe 4 mijë lekë shtesë për natyrë të veçantë pune.
Agjencia ka gjithashtu 15 sanitare, 21 punonjës për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe 7 manovratorë të makinerive të rënda.
Administratori do të paguhet me 144.525 lekë në muaj, në të njëjtin nivel me drejtorët e drejtorive të bashkisë. Përgjegjësit e sektorëve kanë pagë prej 102 mijë lekësh, ndërsa pjesa më e madhe e punonjësve operacionalë paguhen nga 50 mijë deri në 56.700 lekë, me shtesën përkatëse prej 4 mijë lekësh për natyrë të veçantë pune.
Në relacionin shoqërues të agjencisë përmendet edhe një proces ristrukturimi me synim përmirësimin e organizimit të brendshëm dhe rritjen e përgjegjshmërisë së sektorëve. Megjithatë, në të njëjtin dokument thuhet se nuk ka ndryshime të propozuara dhe se numri i punonjësve mbetet 130.
Vendimet për strukturat dhe pagat e të dyja institucioneve do të kenë efekte financiare nga 1 janari 2027.










