Raporti i KE: Shqiptarët paguajnë nga xhepi gati gjysmën e kostos së shëndetësisë, tre herë mbi mesataren e BE-së

214
Një punonjëse e sistemit shëndetësor në Shqipëri, tregon një flakon me vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga Pfizer & BioNTech. Foto: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Shpenzimet që qytetarët shqiptarë përballojnë drejtpërdrejt për shërbimet shëndetësore mbeten kritikisht të larta, duke arritur në 48.27% të totalit në vitin 2023, kundrejt rreth 15% në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian evidenton nënfinancimin e kujdesit parësor, mungesat e barnave dhe pajisjeve mjekësore, si dhe nevojën për politika të reja çmimesh dhe rimbursimi.

Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballojnë një pjesë shumë të lartë të kostove të kujdesit shëndetësor nga të ardhurat e tyre, ndërsa financimi publik i sistemit mbetet i ulët në raport me nevojat. Në raportin për Shqipërinë 2026, Komisioni Evropian e cilëson nivelin e shpenzimeve nga xhepi i qytetarëve si “kritikisht të lartë”, duke evidentuar një diferencë të konsiderueshme me vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të raportit, në vitin 2023 shpenzimet që qytetarët shqiptarë paguan drejtpërdrejt për shërbimet shëndetësore përbënin 48.27% të totalit të shpenzimeve shëndetësore. Në Bashkimin Evropian, kjo peshë ishte rreth 15%. Pra, në Shqipëri, barra financiare që bie drejtpërdrejt mbi pacientët është më shumë se trefishi i mesatares evropiane.

Kjo situatë shoqërohet me financim të kufizuar publik. Shpenzimet publike për shëndetësinë arritën në rreth 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2025 dhe përbënin 9.6% të shpenzimeve publike. Edhe pse financimi u rrit në vlerë, pesha e tij relative ra, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian.

Një nga problemet e evidentuara është nënfinancimi i kujdesit shëndetësor parësor. Gjatë vitit 2025, shpenzimet për këtë shërbim ishin rreth 28% më të ulëta se fondet e planifikuara. Komisioni vlerëson se rritja e burimeve financiare dhe njerëzore, veçanërisht në kujdesin parësor, duhet të jetë një prioritet për përmirësimin e sistemit.

Mungesa e barnave dhe pajisjeve mjekësore

Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e barnave thelbësore në spitale dhe të pajisjeve mjekësore. Raporti e cilëson këtë si një sfidë kritike dhe kërkon hartimin e politikave të reja për çmimet dhe rimbursimin e barnave, me qëllim përmirësimin e aksesit të pacientëve në trajtim.

Problematikat e furnizimit me barna dhe financimit të shërbimeve shëndetësore ndikojnë drejtpërdrejt në barrën që qytetarët duhet të përballojnë. Në këtë kontekst, niveli i lartë i pagesave nga xhepi mbetet një nga treguesit kryesorë të vështirësive për të garantuar qasje të përballueshme në kujdesin shëndetësor.

Komisioni Evropian evidenton gjithashtu se sistemi elektronik i të dhënave shëndetësore është ngritur, por ende mungon kuadri ligjor për dosjet elektronike të pacientëve, ndërsa shërbimet e-shëndetësi mbeten të fragmentuara.

Pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve

Raporti ngre shqetësime edhe për pabarazitë në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore. Të dhënat dhe mekanizmat e monitorimit për grupet në nevojë, përfshirë komunitetet rome dhe egjiptiane, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera, vlerësohen të pamjaftueshme.

Për personat me aftësi të kufizuara, Komisioni vëren se, megjithëse e drejta për kujdes shëndetësor njihet ligjërisht, zbatimi mbetet i paplotë. Shërbimi i kujdesit shëndetësor në shtëpi nuk ka financim të mjaftueshëm dhe mungon një buxhet i dedikuar për vizitat në banesë, ndërsa vazhdojnë problematikat me aksesueshmërinë fizike të shërbimeve.

Në fushën e parandalimit, Shqipëria ka programe për depistimin e kancerit të gjirit, qafës së mitrës dhe kancerit kolorektal, por regjistri kombëtar i kancerit ende nuk është krijuar. Ndërkohë, plani për shëndetin mendor 2023–2026 është në zbatim dhe po vijon kalimi gradual drejt shërbimeve të bazuara në komunitet.

Komisioni Evropian kërkon rritjen e burimeve financiare dhe njerëzore për sistemin shëndetësor, forcimin e kujdesit parësor dhe garantimin e një aksesi më të barabartë në shërbime. Megjithatë, të dhënat për shpenzimet nga xhepi të paraqitura në raport i referohen vitit 2023, ndërsa treguesit e financimit publik janë për vitin 2025.

REKLAMË