Mbi 300 tonë pluhur industrial, i klasifikuar si mbetje me rrezikshmëri shumë të lartë, janë depozituar në ambient të hapur pranë uzinës së ferrokromit të “Albchrome” në Elbasan, pa masat e nevojshme të sigurisë dhe izolimit. Skandali mjedisor ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese, ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale dhe ka urdhëruar sekuestrimin e mbetjeve, të cilat dyshohet se përbëjnë rrezik për shëndetin e banorëve dhe mjedisin.
Sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), bëhet fjalë për mbetje industriale të krijuara gjatë procesit të prodhimit të ferrokromit, të përftuara nga pluhurat e kapura në filtrat e oxhaqeve të uzinës. Materiali është grumbulluar në një sasi prej rreth 300 tonësh dhe është vendosur në thasë të mëdhenj, të lënë në ambient të hapur, në fshatin Balldren, përgjatë aksit Elbasan-Peqin.
Institucioni mjedisor i ka klasifikuar këto mbetje si shumë të rrezikshme, duke evidentuar përqendrime të larta të metaleve të rënda dhe praninë e elementeve potencialisht kancerogjene. Mungesa e kushteve të përshtatshme të magazinimit dhe ekspozimi ndaj faktorëve atmosferikë kanë ngritur shqetësime për pasojat e mundshme në mjedis dhe shëndetin e komunitetit përreth.
Prokuroria sekuestron 300 tonët e mbetjeve
Pas konstatimeve të institucioneve mjedisore, Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar një procedim penal ndaj kompanisë “Albchrome” dhe ka urdhëruar sekuestrimin e sasisë prej rreth 300 tonësh pluhur industrial.
Në vendimin e organit të akuzës argumentohet se sekuestrimi është i nevojshëm për ruajtjen e provës materiale dhe dokumentimin e fakteve që janë objekt i hetimit.
“Çmojmë se është i nevojshëm sekuestrimi i provës materiale të sasisë prej rreth 300 tonë të mbetjeve të dyshuara si mbetje të rrezikshme, pasi vlerësohen si të domosdoshme për vërtetimin e fakteve objekt i hetimit penal”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.
Kompania është ngarkuar gjithashtu me detyrimin për të garantuar ruajtjen e mbetjeve deri në përfundimin e hetimeve. Prokuroria paralajmëron se moszbatimi i këtij detyrimi mund të sjellë përgjegjësi penale për personat përgjegjës.
Ndërkohë, ekspertët kanë marrë mostra të materialit për kryerjen e analizave të mëtejshme jashtë vendit, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të rrezikshmërisë së mbetjeve.
Shkeljet ishin konstatuar që në maj, probleme edhe me skorjet
Problematikat në administrimin e mbetjeve në uzinën e ferrokromit u evidentuan që në muajin maj të këtij viti, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pezulloi aktivitetin e “Albchrome”, pas konstatimit të depozitimit të mbetjeve jashtë kushteve të sigurisë.
Sipas dokumentacionit të institucioneve, kompania nuk dispononte kontrata për transferimin, largimin, asgjësimin apo përpunimin e mbetjeve industriale. Përveç pluhurit të grumbulluar nga filtrat e oxhaqeve, raporti i AKM-së evidenton problematika edhe në administrimin e skorjeve të ferrokromit.
Këto konstatime ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është administruar për vite me radhë një pjesë e mbetjeve që krijohen nga aktiviteti metalurgjik i kompanisë, si dhe mbi kontrollet institucionale për garantimin e standardeve mjedisore.
Lëvizje në drejtimin e kompanisë, largohet administratorja Teuta Üstündağ
Në kohën kur skandali mjedisor ka kaluar në hetim penal, në drejtimin e “Albchrome” janë regjistruar edhe ndryshime në strukturën administrative.
Sipas raportimit të medias “Kapitali”, administratorja kryesore e kompanisë, Teuta Üstündağ, ka përfunduar zyrtarisht marrëdhënien me shoqërinë ditën e premte, duke u larguar nga detyra që mbante prej shtatorit të vitit të kaluar.
Üstündağ kishte qenë drejtuesja kryesore e administrimit të kompanisë që pas emërimit të saj në shtator 2025. Megjithatë, rreth dy muaj më parë, grupi turk “Yildirim”, që zotëron kompaninë, emëroi edhe Selim Sevgen si bashkëadministrator.
Sipas të njëjtit raportim, Sevgen ka marrë tashmë drejtimin real të kompanisë, ndërsa largimi i Üstündağ vjen në një moment delikat për aktivitetin e saj në Shqipëri.
Nuk ka të dhëna publike që të konfirmojnë nëse ndryshimi në administrim ka lidhje me hetimin për ndotjen mjedisore. Megjithatë, Prokuroria po vijon verifikimet për të përcaktuar se kush mban përgjegjësi për depozitimin dhe administrimin e mbetjeve të rrezikshme, përfshirë rolin e personave që kanë drejtuar kompaninë gjatë periudhës kur janë kryer shkeljet e dyshuara.
“Albchrome” është një nga kompanitë më të mëdha të sektorit minerar dhe metalurgjik në Shqipëri, me aktivitet në nxjerrjen e kromit, kryesisht në Bulqizë, si dhe në uzinat e prodhimit të ferrokromit në Elbasan dhe Burrel. Pas shitjes nga “Balfin Group” në vitin 2022, kompania kaloi nën kontrollin e grupit turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”.










