Dibër, shtylla elektrike zë poshtë elektricistin, humb jetën në vendngjarje. Gjatë këtij viti 5 punonjës kanë humbur jetën në punë

710
Foto ilustruese: Punonjës të OSHEE-së gjatë punës në shtyllat elektrike.

Një tjetër elektricist ka humbur jetën në krye të detyrës, këtë herë në Dibër. Ngjarja tragjike është regjistruar paraditen e kësaj të enjteje në fshatin Vasije, në njësinë administrative Kala e Dodës, ku shtylla elektrike me të cilën po punonte Lulzim Shehu është shembur papritur dhe e ka zënë poshtë. Pavarësisht plagëve të rënda, ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shembjes së shtyllës dhe kushtet në të cilat po kryhej puna. Hetimi pritet të hedhë dritë edhe mbi respektimin e rregullave të sigurisë teknike dhe përgjegjësitë për ngjarjen.

Vdekja e elektricistit në Dibër vjen në një vit kur janë raportuar të paktën katër raste të tjera të humbjes së jetës së punonjësve të OSHEE-së dhe strukturave të saj, gjatë kryerjes së detyrës.

Në shkurt, një elektricist 27-vjeçar, me inicialet M.P., humbi jetën në fshatin Rrilë të Lezhës, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë riparimit të një defekti në shtyllë. Më 29 maj, Lutfi Elezaj ndërroi jetë gjatë punës në zonën e Kamzës.

Një tjetër aksident fatal u regjistrua më 22 korrik në Himarë, ku 55-vjeçari Bashkim Boçi, punonjës i OSSH-së në Elbasan, i angazhuar përkohësisht në zonën bregdetare, humbi jetën pasi ra nga një lartësi prej rreth 9 metrash. Sipas raportimeve, shkak dyshohet të ketë qenë shkëputja e rripit të sigurisë gjatë riparimit të rrjetit elektrik pas një stuhie.

Ndërsa më 12 shtator, 32-vjeçari Klajdi Zekthi humbi jetën në fshatin Trojas të Belshit, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë riparimit të një linje.

Të dhënat zyrtare evidentojnë gjithashtu problematikën e aksidenteve në sektorin e energjisë. Sipas raportit të inspektimeve dhe aksidenteve në punë për vitin 2025, në kategorinë “Elektricitet, Gaz, Ujë” janë regjistruar 8 punëmarrës të aksidentuar dhe 3 aksidente me pasojë vdekjen.

REKLAMË