Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar këtë të premte Paketën Fiskale për vitin 2027, pas dështimit të mbledhjes së parashikuar dy ditë më parë, për shkak të mungesës së kuorumit. Projektvendimi mori 11 vota pro dhe 2 kundër, duke kaluar me mbështetjen e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të partive të vogla të rreshtuara në krah të saj që në fillim të këtij mandati.
Miratimi i paketës përcakton nivelin e taksave dhe tarifave që qytetarët dhe bizneset e Bashkisë Bulqizë do të paguajnë gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, dokumenti i paraqitur nga administrata e bashkisë nuk sjell ndryshime në raport me vitin 2026. Sipas relacionit shpjegues, ruajtja e niveleve aktuale argumentohet me synimin për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të mos shtuar barrën financiare mbi bizneset dhe qytetarët.
Për vitin 2027, Bashkia Bulqizë ka planifikuar të mbledhë gjithsej afro 160 milionë lekë të ardhura nga taksat, tarifat dhe burime të tjera. Por një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi nuk vjen nga taksat që administron drejtpërdrejt bashkia, por nga tarifat vendore dhe taksat e ndara me pushtetin vendor.
Konkretisht, 78,6 milionë lekë parashikohen të mblidhen nga tarifat vendore, 58 milionë lekë nga taksat e ndara, 18,4 milionë lekë nga taksat vendore dhe 5 milionë lekë nga të ardhura të tjera. Kjo do të thotë se tarifat vendore përbëjnë pothuajse gjysmën e të ardhurave të planifikuara.
Një nga burimet më të rëndësishme financiare vijon të jetë aktiviteti minerar dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore. Nga tarifa e pastrimit për bizneset, bashkia pret të arkëtojë rreth 32,8 milionë lekë, ku një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve lidhet me subjektet minerare. Vetëm kompanitë minerare të regjistruara pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve kanë një tarifë pastrimi prej 2 milionë lekësh.
Ndërkohë, nga renta minerare parashikohen 18,5 milionë lekë, ndërsa 34,1 milionë lekë të tjera nga dhënia me qira e pyjeve dhe kullotave për 44 subjekte. Këto të fundit përbëjnë burimin më të madh të vetëm të të ardhurave në paketën fiskale.

Pavarësisht se bashkia deklaron se nuk ka ndryshuar nivelin e taksave dhe tarifave, diferencat mes njësive administrative mbeten të konsiderueshme. Një familje në qytetin e Bulqizës paguan 1,400 lekë në vit për pastrimin, 600 lekë për ndriçimin dhe 200 lekë për gjelbërimin. Në njësitë e tjera, tarifat janë të ndryshme, ndërsa në disa prej tyre tarifa e ndriçimit dhe gjelbërimit është zero, për shkak të mungesës së shërbimit.
Për bizneset, tarifa e pastrimit varion nga 4 mijë deri në 35 mijë lekë për bizneset e vogla dhe arrin deri në 100 mijë lekë për bizneset e mëdha, në varësi të aktivitetit. Për hidrocentralet, detyrimi shkon nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa për subjektet minerare arrin në 2 milionë lekë.
Në këtë kontekst, një nga çështjet që mbetet për t’u vlerësuar është raporti mes detyrimeve financiare që u kërkohen qytetarëve dhe bizneseve dhe cilësisë së shërbimeve që ofrohen në territor. Miratimi i një pakete të pandryshuar nuk shoqërohet në vetvete me ndonjë angazhim të ri të dukshëm për përmirësimin e pastrimit, ndriçimit apo gjelbërimit, ndërsa diferencat mes njësive administrative tregojnë se edhe ofrimi i shërbimeve nuk është i njëjtë në të gjithë territorin.
Paketa parashikon reduktim me 50% të tarifës së pastrimit për familjet me kryefamiljarë që përfitojnë ndihmë ekonomike, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe banesat e pabanuara, përfshirë rastet e familjeve emigrante, me kusht paraqitjen e dokumentacionit përkatës.
Gjithashtu, bizneset e reja që hapen gjatë vitit 2027 dhe kanë administratorë deri në 25 vjeç parashikohen të përjashtohen nga tarifat vendore, sipas kritereve të përcaktuara. Përjashtime nga tarifat e kopshteve dhe çerdheve parashikohen edhe për fëmijët e nënave kryefamiljare.










