U bë pjesë e fushatës së PDIU në Dibër, shkarkohet gardisti

325

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj, në vijim të masave të marra për ngjarjen e mëngjesit të ditës së sotme në Dibër, i ka kërkuar Komandantit të Gardës së Republikës shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Florian Lalës, punonjës i Gardës së Republikës.

Mësohet se efektivi i Gardës në shkelje të statusit të tij dhe nenit 332/a të Kodit Penal, “Shpërdorimi i autoritetit policor” ka marrë pjesë aktive në fushatën elektorale të një subjekti politik, më konkretisht Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qarkun e Dibrës. Efektivi Florian Fatbardh Lala është liruar menjëherë nga detyra.

Ministri Demiraj ka ndjekur nga afër operacionin e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së për arrestimin e në flagrancë të shtetasit Demir Deda, punonjës policie në Durrës, i cili ishte i përfshirë në fushatën elektorale të subjektit politik, PDIU, në Dibër duke shkaktuar incidente me subjekte të tjera politike.

Ministri Demiraj inkurajon strukturat e Policisë së Shtetit për të mos lejuar asnjë shkelje të ligjit pa marrë përgjigjen e merituar.

Demiraj i tërheq vëmendjen Drejtorit vendor të Policisë në qarkun Dibër, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme duke cenuar besueshmërinë e punës së Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë subjekteve politike të shmangin incidentet, të respektojnë ligjin duke mos angazhuar në fushatë persona të cilëve iu ndalohet një aktivitet i tillë dhe të mbajnë larg aktivitetit elektoral persona me rekorde kriminale, pasi do të ketë tolerancë zero’, -thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

/bulqizaime.al/