Reforma territoriale kalon në Komisionin e Ligjeve me votat e PS, opozita kundërshton hartën me 46 bashki

172
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, 5 tetor 2026.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka miratuar të hënën projektligjin e Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, duke i hapur rrugë kalimit të tij për votim në seancën plenare të Kuvendit më 8 tetor.

Projektligji parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 bashkive me bashki më të mëdha fqinje. Drafti u miratua në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro dhe 5 kundër, pas më shumë se pesë orësh debate mes mazhorancës dhe opozitës.

Për miratimin e hartës së re në Kuvend nevojiten 84 vota, ose tre të pestat e të gjithë deputetëve. Votimi përfundimtar është planifikuar për të enjten, më 8 tetor.

Klosi humbet statusin e bashkisë, bashkohet me Matin

Një nga ndryshimet që prek drejtpërdrejt qarkun Dibër është bashkimi i Bashkisë Klos me Bashkinë Mat.

Sipas hartës së propozuar nga mazhoranca, Klosi nuk do të vijojë të jetë njësi më vete e vetëqeverisjes vendore, por do të përfshihet në territorin e bashkisë së re të Matit. Në të njëjtën paketë ndryshimesh parashikohet që Fushë-Arrëzi t’i bashkohet Pukës, Rrogozhina Kavajës, Dimal dhe Poliçan Beratit, Patosi Fierit, Divjaka Lushnjës, Selenica Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës, Libohova Gjirokastrës, Cërriku dhe Belshi Elbasanit, ndërsa Prrenjasi Librazhdit.

Në rastin e qarkut Dibër, procesi i konsultimit për reformën ka përfshirë bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë dhe Klos.

Këshilli Bashkiak i Matit ka votuar më herët pro bashkimit me Klosin. Në mbledhjen e zhvilluar më 21 shtator, nga 20 këshilltarë të pranishëm, 14 votuan pro, 5 kundër dhe një abstenoi. Qëndrimi i këshillit iu përcoll Kuvendit si pjesë e procesit të konsultimit.

Mazniku: Bashkitë nuk shkrihen, por bashkohen

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, e mbrojti projektligjin në Komisionin e Ligjeve, duke argumentuar se propozimi është ndërtuar mbi kritere teknike, të dhëna dhe analiza të ekspertëve.

Sipas Maznikut, reforma synon krijimin e bashkive me më shumë kapacitete administrative dhe financiare për të ushtruar funksionet e tyre.

“Propozimi u ndërtua mbi evidencat e raportit të komisionit të posaçëm”, tha Mazniku, duke shtuar se janë marrë në konsideratë mendimet e bashkive, banorëve dhe këshillave bashkiakë.

Ai kundërshtoi gjithashtu përdorimin e termit “shkrirje” për bashkitë që preken nga reforma.

“Bashkitë bashkohen, dy-tre bëhen pjesë e një bashkie të madhe”, është shprehur Mazniku, duke argumentuar se qytetet që përfshihen në bashki më të mëdha do të kenë status të veçantë dhe struktura për përfaqësim e ofrim shërbimesh.

Sipas modelit të propozuar, krahas bashkisë parashikohet edhe koncepti i “qytetit”. Për çdo qytet parashikohet një strukturë përgjegjëse për koordinimin e shërbimeve, ndërsa organizimi i këshillave bashkiakë synon të reflektojë peshën demografike të qyteteve përbërëse.

Mazniku argumenton se kjo skemë do ta afrojë strukturën administrative me qytetarët dhe do të rrisë kapacitetet e bashkive të reja për ofrimin e shërbimeve.

Opozita: Procesi është antikushtetues dhe duhet shqyrtuar edhe propozimi për 100 bashki

Projektligji është kundërshtuar gjatë gjithë procesit nga opozita.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi në Komisionin e Ligjeve se Kuvendi po pengon shqyrtimin e nismës së opozitës, e cila propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100.

Sipas tij, edhe propozimi alternativ duhet t’u nënshtrohet konsultimeve me bashkitë dhe komunitetet përpara se të merret një vendim për hartën e re territoriale.

“Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të qëllimshme pengon iniciativën legjislative të opozitës, që ajo të konsultohet dhe të vijnë qëndrimet e komuniteteve dhe pushteteve vendore lidhur me këtë propozim”, deklaroi Bylykbashi.

Opozita argumenton se reforma nuk i shërben interesit të qytetarëve dhe se bashkimi i bashkive më të vogla mund të ndikojë në përfaqësimin lokal dhe të përshpejtojë shpopullimin e zonave të prekura.

Nga ana tjetër, mazhoranca ka deklaruar se procesi i konsultimit është zhvilluar sipas procedurave dhe se opinionet e bashkive dhe komuniteteve janë administruar gjatë shqyrtimit të nismës.

Balla: Objektivi nuk është kush drejton bashkitë, por shërbimet

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e mbrojti reformën duke e vendosur theksin te funksionimi i shërbimeve publike.

Balla tha se ndryshimi i hartës nuk duhet parë si një garë për drejtimin e bashkive, por si një mënyrë për të krijuar një organizim vendor që, sipas mazhorancës, mund të ofrojë shërbime më të mira.

“Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë”, deklaroi ai.

Balla iu referua gjithashtu reformës territoriale të vitit 2014, duke pretenduar se pas saj të ardhurat për banor janë rritur dhe detyrimet e bashkive janë ulur.

Dy deputetë socialistë kundër projektit

Në zhvillimet e fundit brenda shumicës parlamentare, dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë shprehur kundërshtim ndaj draftit për hartën e re territoriale.

Sipas raportimeve të publikuara të hënën, të dy deputetët kanë votuar kundër propozimit gjatë diskutimit brenda grupit parlamentar socialist.

Ndërkohë, deputetja Marjana Koçeku ka bërë publike votën e saj kundër reformës. Ajo është shprehur se pret që edhe deputetë të tjerë socialistë të mund ta kundërshtojnë projektligjin në Kuvend.

Këto qëndrime marrin rëndësi në prag të votimit, pasi për miratimin e hartës së re kërkohen 84 vota.

Protesta para Kuvendit

Debati parlamentar është shoqëruar edhe me protesta nga banorë të bashkive që preken nga reforma.

Dhjetëra qytetarë u mblodhën të hënën para ambienteve të Kuvendit, duke kundërshtuar bashkimin e bashkive të tyre me njësi më të mëdha.

Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësues vendorë dhe deputetë të opozitës nga zona të ndryshme të vendit. Kundërshtuesit kërkuan që projekti të tërhiqet dhe që statusi i bashkive të tyre të ruhet.

Protesta është paralajmëruar edhe për ditën e votimit në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike ka njoftuar një protestë kombëtare më 8 tetor, në të njëjtën ditë kur pritet të votohet reforma.

REKLAMË