Këshilli Bashkiak i Bulqizës nuk ka dhënë mendim pozitiv për kërkesën e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Dibër (UKD) për rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.
Propozimi i UKD-së parashikon që familjet në Bulqizë të paguajnë 40 lekë për metër kub ujë, nga 25 lekë që është tarifa aktuale. Tarifa për kanalizimet synohet të rritet nga 10 në 15 lekë për metër kub, ndërsa tarifa fikse mujore nga 100 në 150 lekë.
Për klientët publikë dhe privatë parashikohen gjithashtu ndryshime të tarifave, ndërsa rritje të ngjashme të unifikuara janë propozuar edhe për bashkitë Dibër, Klos dhe Mat, të cilat janë pjesë e Shoqërisë Rajonale UKD.
UKD: tarifat nuk kanë ndryshuar prej vitesh
Në relacionin ekonomik që shoqëron kërkesën, UKD argumenton se ndryshimi i tarifave është i domosdoshëm për shkak të rritjes së kostove të operimit, mirëmbajtjes dhe pagave.
Sipas shoqërisë, tarifat aktuale janë trashëguar nga ish-ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve të bashkive dhe nuk janë ndryshuar prej vitesh. Në vitin 2025, kostot e personelit përbënin rreth 72% të kostove operative direkte, ndërsa shoqëria parashikon rritje të mëtejshme të tyre.
UKD thotë se të ardhurat aktuale mbulojnë rreth 56% të kostove operative dhe synon që me tarifat e reja ky nivel të arrijë në 100% deri në vitin 2028.
Shoqëria parashikon që tarifat e reja të zbatohen nga viti 2027, ndërsa aplikimi përfundimtar do t’i paraqitet për miratim Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
UKD argumenton se rritja e tarifave është e përballueshme për familjet. Sipas relacionit, shpenzimet mesatare mujore të një familjeje në qarkun e Dibrës llogariten në rreth 50 mijë lekë, ndërsa fatura mesatare mujore për një familje me katër persona është 794 lekë, ose rreth 1.6% e shpenzimeve familjare. Shoqëria e konsideron këtë nivel nën pragun 5% të përballueshmërisë të përcaktuar nga ERRU.
Premtime për përmirësimin e shërbimit
Në këmbim të rritjes së tarifave, UKD parashikon përmirësimin e disa treguesve të shërbimit gjatë viteve 2027-2029.
Shoqëria synon të rrisë mbulimin me ujë, të instalojë më shumë matësa, të reduktojë humbjet dhe lidhjet e paligjshme, si dhe të përmirësojë arkëtimet. Po ashtu, në vitet e ardhshme parashikohet nisja e fazës së parë të investimeve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Bulqizën dhe Matin.
Në relacion, UKD pranon se furnizimi aktual me ujë është mesatarisht 22 orë në ditë, ndërsa synimi është që ky tregues të shkojë në 23 orë deri në vitin 2028.
Shoqëria argumenton gjithashtu se rritja është e përballueshme për familjet. Sipas llogaritjeve të saj, fatura mesatare mujore për një familje me katër persona është rreth 794 lekë dhe përbën rreth 1.6% të shpenzimeve mujore familjare.
Këshilltarët: “Nuk mund të rriten tarifat pa përmirësuar shërbimin”
Këshilltarët bashkiakë nuk u bindën nga argumentet e UKD-së dhe ngritën shqetësime për cilësinë e shërbimit në Bulqizë.
Gjatë diskutimit u raportuan ndërprerje të shpeshta dhe të zgjatura të furnizimit me ujë, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative dhe fshatra. Për këshilltarët, rritja e tarifave nuk mund të kërkohet në një situatë kur qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit që shkon me orë të tëra.
Kërkesa u kundërshtua dhe Këshilli Bashkiak vendosi të mos japë mendim pozitiv për ndryshimin e tarifave.
Ndryshime të tarifave janë propozuar edhe për Dibrën, Klosin dhe Matin, ku UKD ushtron aktivitetin. Në Klos, rritja është më e ndjeshme për klientët publikë dhe privatë, me tarifën e ujit që propozohet të kalojë nga 35 në 80 lekë për metër kub, ndërsa kanalizimi, që aktualisht nuk tarifohet, do të bëhej 15 lekë për familjarët dhe 30 lekë për klientët e tjerë. Në Mat, rritja prek kryesisht tarifat e kanalizimeve dhe tarifën fikse mujore, ndërsa në Dibër tarifa e ujit për familjarët propozohet të rritet nga 27 në 40 lekë për metër kub dhe tarifa fikse, aktualisht zero, të bëhet 150 lekë në muaj.
Ndërkohë, në një përgjigje për Bulqizaime.al, Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka sqaruar se propozimi për ndryshimin e tarifave duhet të ndjekë procedurën përkatëse të miratimit pranë këtij institucioni. ERRU vlerëson dokumentacionin dhe argumentimin ekonomik të shoqërisë, si dhe të dhënat që lidhen me kostot, nivelin e shërbimit dhe përballueshmërinë e tarifave, përpara se të marrë vendimin përfundimtar. Këshillat bashkiakë japin mendim në kuadër të procesit konsultativ, ndërsa vendimmarrja për tarifat i takon ERRU-së.











