Skavica, “ëndrra në sirtar” e qeverisë eshtë një ëndërr e keqe për banorët e luginës së Drinit dhe Dibrën mbarë

2045
Rrjedha e lumit Drini i Zi, aty ku është projektuar ndërtimi i HEC Skavicës. Foto: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministrja Balluku prezantoi dje në Skavicë para ambasadores së SHBA “ëndërr në sirtar prej shumë dekadash”, të cilën ajo dhe qeveria e saj po e bën realitet.

Por pavarësisht se diga në Skavicë do të mbulojë me ujë gjithë fushën e Dibrës, ajo nuk ka asnjë fjalë të thotë për këtë.

Ambasadorja e SHBA, krejt në detyrën e vet, i ka dalë në mbrojtje një kompanie amerikane, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e këtij hidrocentrali. Por ata, në dukje, janë më të kujdesshëm. Thonë se “po përpiqen të punojnë me autoritetet lokale dhe komunitetin mes malesh në Skavicë”, por për komunitetin pas malesh që do të mbulohet nga uji, nuk kanë fjalë për momentin.

Që të mos spekulojmë: qeveria shqiptare ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e Skavicës, e cila ndahet në dy faza: faza e parë ka të bëjë me studimin teknik të projektit, si dhe studimin mjedisor e social, ndërsa faza e dytë është ajo e ndërtimit. Gjatë fazës së parë do të saktësohen edhe kostot e ndërtimit, diku te 500 milionë euro. Por mund të shkojë edhe 700 milionë euro, bazuar në përvojën e kësaj kompanie me financimin e Rrugës së Kombit. Por kjo është çështje tjetër.

Ndërsa banorët e Dibrës prisnin ditë pas dite nisjen e bisedimeve me kompaninë dhe qeverinë, kompania shkon dhe dërgon në Skavicë ca makineri shpimi për të parë strukturën gjeologjike të terrenit. Ndoshta ajo nuk e di se këto shpime janë kryer që në kohën e regjimit komunist, dhe me ato rezultate e projekte janë harxhuar deri më tani para nga KESH.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në zonën ku planifikohet të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës dhe ku ka nisur puna në terren për hartimin e projektit. Foto: MIE

Sikur të mos mjaftonte kjo, Ministrja dhe Ambasadorja shkojne deri në Skavicë, për t’i thënë “medias së tyre” ato që i kanë thënë e stërthënë në konferencat e Tiranës në lidhje me HEC Skavica, së paku deri nga viti 2017 e këndej. Shkurt: Ata shkuan deri në Skavicë për planet me dron, sepse fjalët janë njësoj si në hollin e kryeministrisë.

Kronika e tyre e shkurtër televizive, sado e bukur dhe e mirë të jetë për investitorët dhe shpresëdhënëse për banorët e nën Shkodrës që do të shpëtojnë nga përmbytjet, është një kronikë plot lajme të kobshme për banorët e Dibrës. Përveç atyre që janë në qeveri. Madje, jo vetëm për ata 10 mije që do të marrin rrobat e do të shpërngulen, por edhe për ata të cilëve do t’u mbeten shtëpite në breg të liqenit apo kodrave të Dibrës.

Ajo që inxhinieri i Bechtel përpiqet të ruajë maleve rreth e rrotull Skavicës, nuk mund të ndodhë në fushën e Dibrës. Përveç aspektit historik e kulturor, që është shumë i rëndësishëm të ruhet, do të humbasin burimet e qëndrueshme ekonomike në këtë rajon. Studimi i Bechtel do ta nxjerrë në këtë konkluzion, por vendimi final: nevoja për energji do të jetë më e madhe dhe kështu që do ti hapet rruga ndërtimit të hidrocentralit.

Deri më tani, si qeveria dhe si Bechtel duket se kanë frikë të përballen me banorët që shpërngulen. Disa prej tyre që kundërshtojnë projektin nuk u lejuan të hynin në kantier. Dhe kur qeveria dhe kompania nuk kanë “durim” të përballen me disa prej tyre, si do ta bëjnë atë me popullin e Dibrës?!

Në këtë situatë, sot Kryeministri i vendit del si rrallëherë para popullit dhe njofton se po vjen një “krizë e jashtëzakonshme energjitike”. Por “ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre… Më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë sëbashku, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë”.

Kjo do të thotë se nuk ka konsultime. Edhe sikur të bëhen, ato do të bëhen diku fshehtas e diku nën presion e kërcënime. Ashtu siç ka ndodhur me çdo përrua në Shqipëri deri më tani.

Dhe kur gjithçka të ketë përfunduar fusha e nën Shkrodrës do të mbytet sërish, ashtu si edhe energjia në vend nuk do të jetë e siguruar. Atëherë dikush mund të kërkojë ndjesë, por do të jetë shumë vonë: Dibra do të jetë e ndarë në dysh dhe dhimbja e saj do të ndjehet veç te këngët me çifteli…