Skandali seksual/ Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili

421

Ish-kreu i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili u lira pasditen e sotme nga burgu.

Xhelili u dënua pas publikimit të video-skandalit, ku kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Disa javë më parë, Xhelili i bëri rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda, sipas të cilit u dënua me 1 vit e 8 muaj burg për akuzën “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Në vendimin ndaj tij, Apeli i Krimeve të Rënda ndryshoi kualifikimin e akuzës, e cila në Shkallën e Parë ishte ajo e “korrupsionit pasiv…”.

Por Xhelili këmbëngulte se ishte i pafajshëm, duke kërkuar prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit për Krimet e Rënda, dhe deklarimin e tij të pafajshëm.

Pas këtyre kërkesave ka ardhur edhe vendimi për lirimin e ish-kryebashkiakut të Dibrës Shukri Xhelili.

NDRYSHIMI I AKUZËS
Vendimi i Apelit të Krimeve të Rënda, i shpallur në prill të këtij viti, zbuti ndjeshëm masën e dënimit të dhënë më herët ndaj ish-kryebashkiakut.

Kolegji Penal që shqyrtoi çështjen vlerësoi se Xhelili nuk duhet të akuzohej për akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, por për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”, mbetur në tentativë. Bazuar në këtë akuzë, Apeli vendosi një dënim përfundimtar me 1 vit e 8 muaj burg. Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, Apeli lë të pandryshuar dënimin plotësues për Xhelilin.

Heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një kohë prej pesë vjetësh. Vendimi i Apelit uli me një vit masën e dënimit për Xhelilin të dhënë në Shkallën e Parë, ku ai u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg.

SKANDALI
Ish­-kryebashkiaku i Dibrës, Xhelili, u përfshi në një histori skandali seksual në maj të vitit 2016, pas publikimit në media të një videoje përgjimi. Pamjet ishin realizuar nga një 20­vjeçare, e cila pretendonte se kryebashkiaku i kishte kërkuar një raport intim në këmbim të punësimit të saj në një nga institucionet vartëse të Bashkisë Dibër.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë tha se i pandehuri Shukri Xhelili ka kërkuar një përfitim të parregullt të natyrës seksuale në këmbim të punësimit të shtetases Anisa A. I pandehuri Xhelili ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij dhe përmes mbrojtësit pretendoi se videoja e sjellë si provë nga Prokuroria duhet të deklarohej e pavlefshme dhe e papërdorshme.