Shpallet tenderi për rikonstruksionin e rrugës Skuraj – Burrel, fond limit 866 milionë lekë

351
Rruga nacionale Skuraj – Burrel. Foto: Mat Tv

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e rrugës Skuraj – Burrel, një segment prej 35.6 kilometrash që shtrihet në territorin e bashkive Mat dhe Kurbin. Njoftimi i tenderit u publikua më 25 shtator 2026, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave përfundonte më 27 tetor. Ndërsa nuk ka njoftim për shpalljen e fituesit.

Fondi limit i procedurës është 866,208,296 lekë pa TVSH, rreth 9.44 milionë euro, i parashikuar në buxhetin e shtetit për periudhën 2026–2028.

Aksi Skuraj – Burrel ka rëndësi të veçantë për qarkun e Dibrës, pasi është rruga e vjetër që lidhte Dibrën me Tiranën dhe edhe sot mbetet lidhja më e shkurtër për banorët e zones me Rrugën e Kombit, që çon drejt Kosovës.

Sipas dokumentacionit të publikuar, kontrata parashikohet “me çelësa në dorë”, që do të thotë se i njëjti kontraktor do të hartojë projektin, do të marrë lejet dhe do ta ndërtojë rrugën, duke e dorëzuar të gatshme. Afati i përgjithshëm është 15.5 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Rreth 3.5 muaj janë paraparë për projektin e zbatimit dhe lejet, ndërsa 12 muaj për punimet e ndërtimit.

Sipas grafikut orientues, punimet përfshijnë heqjen e shtresave të vjetra dhe germimin, ndërtimin e shtresave të reja rrugore dhe asfaltimin, ndërtimin e mureve mbajtëse, riparimin e urave dhe tombinove, mbrojtjen nga erozioni, vendosjen e mbrojtëseve anësore dhe të sinjalistikës.

Rruga Skuraj – Burrel ndodhet në gjendje të amortizuar përgjatë gjithë gjatësisë së saj. Asfalti është i dëmtuar rëndë, me gropa dhe çarje që e bëjnë të vështirë dhe të rrezikshme qarkullimin e automjeteve. Në disa pjesë të aksit rruga preket edhe nga rrëshqitje dheu. Për banorët dhe shoferët që e përdorin çdo ditë, udhëtimi kërkon kohë më të gjatë dhe shoqërohet me dëme në mjete.

REKLAMË