Pas 36 vitesh, KF Bulqiza rikthehet të luajë në shtëpi – hapet zyrtarisht fusha e futbollit në qytet

136
Në stadiumin “Bulqiza”, u zhvillua ndeshja e parë zyrtare ku ekipi vendas KF Bulqiza u përball me Dinamo City B, në kuadër të Kategorisë së Tretë. Foto: KF Bulqiza

Pas afro 36 vitesh mungesë, futbolli është rikthyer në Bulqizë. Sot, në stadiumin “Bulqiza”, u zhvillua ndeshja e parë zyrtare ku ekipi vendas KF Bulqiza u përball me Dinamo City B, në kuadër të Kategorisë së Tretë. Megjithëse rezultati përfundimtar ishte 0–2 në favor të miqve.

Ndeshja nisi me një minutë heshtje në kujtim të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit, Fatos Nano. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0–0, duke u karakterizuar nga disa momente tensioni mes skuadrave. Në pjesën e dytë, miqtë nga Dinamo City B arritën të shënojnë dy herë, fillimisht në minutën e 76-të dhe më pas me golin e Amin Hysës në minutën e 89-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0–2.

Kjo ndeshje shënon një moment të rëndësishëm për sportin në Bulqizë, pasi qyteti ka pasur një ekip futbolli për vite me radhë, por jo një fushë të vetën. Ndërtimi i fushës ka nisur afro një dekadë më parë, por ka ecur me ritme shumë të ngadalta, duke u shoqëruar me vonesa dhe shtyrje të njëpasnjëshme. Kostoja totale e punimeve, e ndarë në disa procedura tenderuese, ka arritur rreth gjysmë milioni euro.

Megjithëse pritja ka qenë e gjatë, fusha e re ende nuk është plotësisht e përfunduar dhe paraqet disa mangësi, si në rrethim, hapësirat e tjera, por dhe probleme të shumta në dhomat e zhveshjes.

Sot, megjithatë, sportdashësit e Bulqizës mbushën tribunat për të përshëndetur rikthimin e ekipit të tyre në shtëpi. Kjo edhe si një falënderim ndaj gjithë atyre që kanë mbajtur gjallë frymën e futbollit në Bulqizë ndër vite — ish-lojtarëve, trajnerëve, drejtuesve të klubit, sportdashësve dhe mbështetësve të palodhur që nuk e kanë lënë të shuhet pasioni për këtë sport.

Pas javës së tretë të Kategorisë së Tretë, Grupi A kryesohet nga Dinamo City B me 9 pikë të plota dhe një golavarazh mbresëlënës prej 15:0, ndjekur nga FK Shënkolli po me 9 pikë, por me diferencë më të vogël golash (+9). Në vendin e tretë renditet T-Kamza me 7 pikë, ndërsa KF Vllaznia B dhe Tirana B mbyllin pesëshen e parë me respektivisht 6 dhe 4 pikë.

KF Bulqiza, pas humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Dinamo City B, mban vendin e gjashtë me 3 pikë, një fitore dhe dy humbje, me golavarazh 1:3. Në fund të tabelës ndodhen Klosi dhe Rinia EL, që nuk kanë arritur ende të marrin asnjë pikë në tri javët e para të kampionatit.