Fusha e futbollit në qytetin e Bulqizës, e cila ka përfshirë një investim fillestar prej afro 28 milionë lekësh, vazhdon të jetë në një gjendje të papërdorshme. Pavarësisht kontributit financiar nga vëllezërit Keta, Bashkia Bulqizë, kompania Albchrome dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), fusha nuk është e gatshme për zhvillimin e ndeshjeve. Rrethimi i dëmtuar, mungesa e shkallëve për tifozët dhe dhomat e zhveshjes të shkatërruara janë disa nga problemet kryesore që kanë ndikuar në mos funksionimin e saj.
Bashkia Bulqizë ka propozuar për ndryshime në buxhetin e vitit 2024 për të adresuar investimet që mbeten të papërfunduara, përfshirë rrethimin e ambientit të fushës së futbollit. Sipas relacionit të dërguar në Këshillin Bashkiak, fusha e futbollit ka nevojë për një fond shtesë prej 6,731,992 lekësh, ose afro 67 mijë euro, për të realizuar punimet e nevojshme për rrethimin e saj, duke e çuar totalin e investimit për këtë projekt në 10,731,992 lekë, ose afro 107 mijë euro. Vlera e investimit për vitin 2024 ishte planifikuar për 4,000,000 lekë.
Në relacionin drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, thuhet se vlera e shtuar për këtë investim do të vijë nga rishikimi i projektit për “Sistemim dhe asfaltim i rrugës Trebisht-Ostren Loti I”, një projekt që ishte planifikuar të financohej me 12 milionë lekë. Pas vlerësimit të nevojave të tjera emergjente për vitin 2024, Bashkia ka propozuar që një pjesë e këtij fondi, konkretisht 6,731,992 lekë, të rialokohet për rrethimin e fushës së futbollit.
Kostoja totale për ndërtimin e fushës së futbollit në Bulqizë pritet të arrijë në afro 390 mijë euro. Gjendja aktuale e dhomave të zhveshjes është alarmante: dritaret janë thyer, dyert janë dëmtuar, dhe pllakat si dhe instalimet elektrike e hidraulike janë shkatërruar. Ky degradim i infrastrukturës sportive, ka bërë që ato të jenë të papërdorshme për ekipin dhe grup-moshat e fëmijëve që luajnë në fushën e futbollit. Po ashtu, në stadiumin e qytetit nuk është luajtur asnjë ndeshje nga ekipi i futbollit.
Pavarësisht ndryshimeve financiare, problemi i pronësisë së fushës së futbollit mbetet ende i pazgjidhur, pasi nuk është qartësuar nëse ajo do të mbetet në pronësinë e Bashkisë Bulqizë apo do t’i kalojë Federatës Shqiptare të Futbollit.