Pa fushë futbolli dhe një ekip që nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Bulqizë

1384
Fusha e sportit në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Në janar të vitit 2020, bashkia Bulqizë do të themelonte ekipin e futbollit me po të njëjtin emër. Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Sport Klub Bulqiza do të kishte objekt të punës organizimin e aktiviteteve sportive, si dhe krijimin e ekipeve zinxhir të futbollit, pjesëmarrja në garat sportive të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit etj. Por katër vite që prej themelimit, ky ekip nuk ka luajtur asnjë ndeshje futbolli për sportdashësit në Bulqizë, kjo për shkak të mungesës së terreneve sportive. Gjithashtu, rezultatet e klubit të futbollit janë shumë të dobëta, ku aktualisht luan në kategorinë e tretë.

Në janar të vitit 2019, do të niste puna për ndërtimin e fushës së futbollit me një fond të përbashkët prej 16 milionë lekë (të reja) si donacion i vëllezërve “Keta”, bashkisë Bulqizë, kompanisë Albchrome dhe afro 12 milionë lekë (të reja) për tapetin, si financim i FSHF-së. Në total, investimi prej 28 milionë lekë do të kryhej me administrimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Punimet u zvarritën disa vite, duke mbyllur vetëm shtrimin e tapetit në fushën e futbollit dhe duke mos kryer asnjë investim tjetër. Në nëntor të vitit 2022, Bashkia Bulqizë do të investonte edhe afro 8,500 mijë lekë (të reja) për ndërtimin e dhomave të zhveshjes së futbollistëve, por edhe ky investim nuk u përfundua plotësisht.

Fusha e futbollit është në kushte shumë të këqija, pa rrethim dhe pa shkallë për publikun. Gjatë ditëve të fundit, janë thyer edhe dritaret dhe hequr dyert e objektit, që duhej të ishte në funksion për dhomat e ndërrimit të futbollistëve. Investimi në total prej në afro 350 mijë euro nuk shërbeu për asnjë ditë në funksion të ekipit të futbollit në Bulqizë.

Dhomat e zhveshjes për futbollistët, investim nga Bashkia Bulqizë prej afro 80 mijë euro.

Ismail Keta, një nga donatorët fillestar, në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se “djersa” e tyre për ndërtimin e fushës së futbollit në Bulqizë është plaçkitur. Vëllezërit Keta, pas një ndeshje boksi të zhvilluar në Bulqizë në vitin 2014-të, fitimin prej rreth 4,500 mijë lekë të reja ia dhuruan bashkisë për të investuar në sport. “Më kanë kontaktuar disa miq që unë duhet ta denoncoj në SPAK, Bashkinë Bulqizë, pasi ato lekë janë plaçkitur duke u justifikuar me punë të bëra falas dhe letra false për një fushë pa standarde. Unë besoj në drejtësi dhe jam për të edhe sikur të bëhej fjalë për njeriun e familjes sime. Por nuk dëshiroj të jem në gjyq me njerëz nga vendlindja dhe Atdheu im”, shkruan Keta.

Kjo ka sjellë që në mbledhjen e muajit nëntor 2023 të Këshillit Bashkiak Bulqizë të kërkohet informacion se çfarë po ndodh me investimin e fushës së futbollit.

Zëvendës Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Haxhi Pulja tha se investimi është përgjegjësi e Federatës së Futbollit. Pulja tha se investimi në fushën e futbollit nuk është marrë në dorëzim nga bashkia, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme në drejtim të FSHF-së. “Bashkë me Federatën e Futbollit është edhe donacioni i bashkisë që ka vendosur pjesën takuese. Investitori është vetë federata si edhe procedura e tenderimit është bërë nga federata. Ne kemi bërë disa herë shkresë që të vihet e të bëhet dorëzimi i fushës. Nuk na janë përgjigjur. Se kur do të vijnë ta dorëzojnë këtë e dinë më mirë ata. Donacioni i vëllezërve Keta është tek fondi i përbashkët me federatën” tha Pulja në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Ekipi me emrin “Bulqiza” pa luajtur asnjë ditë në Bulqizë

Klubi i futbollit “Bulqiza” nuk ka luajtur asnjë ndeshje apo senacë stërvitore në Bulqizë. Që prej themelimit dhe deri më sot, shtëpia e ekipit ka qenë fusha e futbollit në Kamëz. Referuar të dhënave nga Thesari, që prej themelimit në vitin 2020 ky ekip ka marrë 35,300,000 lekë (të reja) financim nga buxheti i bashkisë. Vetëm për vitin 2023, janë transferuar në llogaritë bankare të F.C Bulqizës 9,000,000 lekë (të reja). Ndërsa për vitin 2024 klubi i futbollit kërkon rreth 13,500,000 lekë (të reja) financim.

Kjo ka sjellë që anëtarët e këshillit bashkiak të kërkojnë sqarime nga administrata e bashkisë dhe përfaqësues të ekipit. Veap Halili, anëtarë i Këshillit Bashkiak nga radhët e opozitës tha se nuk mund të financohet me miliona lekë një ekip që nuk ka një ndeshje të luajtur në Bulqizë. “Të kesh ekip futbolli dhe mos të bësh të paktën një ndeshje miqësore që edhe banorët e këtij qyteti të krijojnë idenë se kemi ekip dhe që financojmë një ekip. Ne nuk po kërkojmë që ekipi të sjell fitime, por të paktën të kemi ndeshje. Është viti i pestë që është themeluar ekipi dhe nuk ka një ndeshje. Këto lekë të dhëna nga buxheti a shkojnë për futbollin sepse këto kanë pesë vite që luajnë në Kamëz. Merr buxhetin e bashkisë Bulqizë dhe çoi në Kamëz”, tha Halili.

Shaqir Manjani, anëtari i Këshillit Bashkiak nga radhët e opozitës tha se nuk mund të financohet vazhdimisht një ekip, ku një pjesë e parave shpenzohen për qira ambienti në Kamëz. Për Manjanin, duhet të zgjidhet problemi me fushën e futbollit në Bulqizë dhe mos të ketë shfaqje të kota. “Ju kërkoni për një vit 135 milionë lekë të vjetra dhe nuk bëni asgjë. Zgjidhni pronësinë e fushës dhe të mos investohen kaq lek për bileta transporti në Kamëz. Këta thonë se i jemi drejtuar FSHF-së dhe nuk na kanë sjellë praktikën ligjore të dosjes”, tha Manjani.

Mungesa e hapësirave publike dhe veçanërisht e terreneve sportive e sociale për të rinjtë vijon të mbetet një problem shqetësues në Bulqizë. Për shkak të këtyre mungesave, të rinjtë shpesh nuk e shpenzojnë kohën e lirë në drejtimin e duhur, duke u futur kështu dashur pa dashur në rrugën e veseve gjatë moshës së adoleshencës.