Mijëra euro të shpenzuara, por fusha e futbollit në Bulqizë vazhdon të jetë jashtë funksionit

788
Fusha e sportit në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Pavarësisht investimeve që kapin shifrën e afro 400 mijë eurove që nga viti 2017-të, fusha e futbollit në qytetin e Bulqizës vazhdon të jetë jashtë funksionit.

Në nëntor të vitit 2024, Bashkia Bulqizë hapi një procedurë tenderimi për rrethimin e ambienteve të fushës së futbollit, me një fond limit prej afro 89 mijë eurosh. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve “2 L&M + LIQENI VII”, me një vlerë prej afro 81 mijë eurosh, me afat zbatimi të punimeve prej 28 ditësh. Punimet përfshinin rrethimin me rrjetë të fushës, ndërtimin e shkallëve për publikun si edhe të një sërë strukturave të betonit.

Në terren, punimet e realizuara deri më tani përfshijnë: rrethimin e fushës me rrjetë teli, vendosjen e disa shtyllave pas portave, por pa rrjetat përkatëse sipas projektit. Gjithashtu janë përfunduar edhe disa struktura betoni në anësore. Ndërkohë, shkallët për publikun, të planifikuara me konstruksion metalik, janë të papërfunduara dhe të lëna mënjanë.

Ky nuk është investimi i parë në këtë fushë. Në vitin 2022, Bashkia Bulqizë shpenzoi edhe 8.481.977 lekë për ndërtimin e dhomave të zhveshjes për futbollistët, fituar nga kompania EGLAND shpk.

Sot, fusha përdoret vetëm nga fëmijët për aktivitete të pasdites, ndërsa ekipi i qytetit, që financohet nga vetë bashkia, nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare në këtë fushë që prej themelimit të tij.