“Në Vlorë për fitore, por edhe humbja nuk është tragjedi”

249

Ergys Kraja iu bashkua Korabit në merkaton e dimrit dhe deri tani ka zhvilluar 6 ndeshje me skuadrën dibrane. 21-vjeçari kuksian, në një prononcim për “Panorama Sport”, pohon se është i gatshëm të japë kontributin e tij për Korabin në çdo moment që do t’i besohet nga stafi teknik. Kështu që ai shpreson të luajë në ndeshjen e radhës, ku Korabi do të jetë mysafir në Vlorë.

“Jam stërvitur normalisht gjatë kësaj kohe nën drejtimin e trajnerit Haxhiu dhe besoj se do të jem i gatshëm në ndeshjen ndaj Flamurtarit, ku shpresojmë të bëjmë më të mirën e mundshme. Nëse nuk morëm pikë ndaj Partizanit, kjo nuk erdhi ngaqë pati probleme vetëm mbrojtja. Ishin disa probleme që u konstatuan dhe nga kjo e pësuam. Në futboll janë shumë faktorë që vendosin në fitoren apo në humbjen e një ndeshjeje.

Sigurisht që sfida ndaj vlonjatëve ka disa veçori të tjera, pasi skuadra kundërshtare do të kërkojë domosdoshmërisht fitoren për vetë pozitat në renditje. Por edhe ne do të luajmë pa presione duke qenë të lirë në lojën tonë, e kjo do të bëjë që të tria rezultatet të jenë të mundshme. Ne, në çdo ndeshje që luajmë, objektivi është për të marrë maksimumin.

Nëse ndodh kështu, askush nuk duhet të shqetësohet, sepse Korabi i ka mundësitë dhe përbërjen për ta bërë një gjë të tillë. Por edhe nëse humbasim, nuk mendoj se duhet konsideruar ndonjë tragjedi, sepse në fund të fundit luajmë ndaj një skuadre që ka në përbërje lojtarë mjaft të mirë dhe nuk duhej të ishte në këto pozita”, u shpreh futbollisti i Korabit, Ergys Kraja.

Abdulla Dushku