Mbi 30 plumba drejt një automjeti në Urakë të Matit, ndërsa 2 km më tej gjendet Golf-i i djegur me dy kallashnikovë

290
Automjeti tip “Golf V” i gjetur i djegur rreth 2 kilometra nga vendi i ngjarjes në Urakë të Matit. Foto: Mat TV

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur fshatin Urakë të Matit mbrëmjen e së shtunës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të një automjeti të parkuar në oborrin e një banese.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:10 të datës 12 shtator 2026, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj. Sipas policisë, autorët kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll.

Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të plagosur.

Sipas të dhënave paraprake, familjarët që ndodheshin në banesë sapo ishin kthyer nga Italia. Rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk dihet nëse familja ka pasur më herët konflikte apo probleme që mund të lidhen me ngjarjen.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër janë ngritur pika kontrolli në zonë. Në vendin ku ndodhi sulmi ka shkuar edhe grupi hetimor, i cili ka nisur mbledhjen e provave.

Golf-i i djegur, rreth 2 kilometra larg Urakës

Në vijim të kontrolleve në territor, policia ka konstatuar një automjet tip “Golf V” të djegur, rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel.

Gjatë këqyrjes së automjetit, brenda tij janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov, të cilat ishin dëmtuar pjesërisht nga zjarri. Armët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Policia dyshon se automjeti i djegur mund të ketë lidhje me autorët e sulmit në Urakë, por kjo mbetet për t’u provuar nga hetimi.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se “Golf V” rezulton të ketë qenë i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan që prej 31 korrikut 2025. Sipas policisë, pronari i automjetit, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte kallëzuar vjedhjen e tij.

Hetime në disa qarqe

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonat ku dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia thotë se po bashkëpunon edhe me strukturat e DVP Tiranë, Lezhë dhe Kukës.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe përcaktimin e motivit të sulmit.

REKLAMË