Korabi-Partizani drejt “Selman Stërmasit”

242

Skuadra e trajnerit Gerd Haxhiu e ka lënë pas humbjen me Kukësin dhe çdo gjë është fokusuar te ndeshja e radhës, ku në fundjavë presin Partizanin. Sipas kalendarit, takimi Korabi-Partizani do të luhet të shtunën, në orën 14:00, por ende nuk është përcaktuar zyrtarisht stadiumi se ku do ta luajnë këtë sfidë.

Duke qenë se skuadra e Korabit është pritëse, edhe një herë kanë dështuar tentativat për ta zhvilluar këtë ndeshje në Peshkopi. FSHF-ja e ka bërë të pavlefshëm këtë stadium, pasi nuk i plotëson të gjitha kriteret që kërkohen për ndeshje të Kategorisë Superiore. Dy janë alternativat e radhës për stadiumin e këtij takimi, “Niko Dovana” dhe “Selman Stërmasi”.

Drejtuesit e Korabit janë duke zhvilluar bisedime për vendin se ku do ta zhvillojnë ndeshjen dhe po mundohen që të gjejnë alternativën më ekonomike. Për momentin, nuk ka asnjë vendim zyrtar për stadiumin ku do të luhet ndeshja mes Korabit dhe Partizanit, por gjasat janë që ndeshja të luhet në kryeqytet, në “Selman Stërmasi”.

Ndonëse tifozët e Partizanit janë të dënuar për të ndjekur këtë ndeshje, askush nuk mund t’i ndalë ata që të hyjnë në stadium si tifozë të thjeshtë. Normal që atyre nuk do t’u lejohet që të hyjnë në stadium me banderola, flamuj dhe aksesorë të Partizanit, por askush nuk mund t’i ndalojë që të jenë prezent si tifozë neutralë, apo si “mbështetës” të Korabit.

ABDULLA DUSHKU