Korabi kthen sytë nga të rinjtë, një shans kundër Flamurtarit

249

Korabi i vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës me Flamurtarin dhe trajneri Gerd Haxhiu e ka pasur të plotë grupin. Puna është përqendruar kryesisht në përgatitjen fizike të lojtarëve të rinj, të cilët janë afruar gjatë merkatos së dimrit, pasi në takimin me Flamurtarin Korabit do t’i mungojnë tre titullarë.

Kapiteni Sokol Mziu, mesfushori Alfred Zefi, si dhe mbrojtësi i djathtë, Veton Shabani, kanë plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Për shkak të këtyre mungesave, tekniku Haxhiu po mundohet që të përgatisë një formacion ku elementi i ri do të ndërthuret me lojtarët që kanë pasur më shumë hapësirë me ekipin gjatë këtij sezoni.

Një nga këta lojtarë që pritet të luajë si titullar është dhe mesfushori 23-vjeçar, Dejvis Çangu, një prodhim i akademisë “Tirana”, por që u afrua gjatë merkatos së janarit te dibranët nga Partizani B, gjatë merkatos së dimrit. Ai deri më tani është aktivizuar në 4 takime në Superiore me Korabin, kryesisht ndaj Skënderbeut, Teutës, Tiranës dhe Partizanit.

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ai shprehet se të qenurit titullar në ndeshjen kundër Flamurtarit mund të jetë një shans i mirë për t’u shfrytëzuar. “Jam vërtet i lumtur që po aktivizohem në ndeshjet e Superiores dhe këtë falënderim e kam për trajnerin Gerd Haxhiu, që ka bërë të mundur aktivizimin tim në disa ndeshje të kampionatit. Mendoj se aktivizimi im si titullar pranë kësaj skuadre do të jetë edhe një vlerësim, por edhe një motivim më shumë për të luajtur me përkushtim.

Kjo është një mundësi e artë, pasi unë mund të tregoj aftësitë e mia individuale si dhe të pasuroj më shumë karrierën time futbollistike në Superiore. Mendoj se do të jap maksimumin dhe do bëj më të mirën e mundshme si për afirmimin tim, po ashtu edhe për skuadrën, për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh Çangu.

Abdulla Dushku