Korabi, edhe premiot s’mjaftojnë për të marrë pikë

221

Korabi duket se është ekipi i parë që i thotë lamtumirë Kategorisë Superiore, edhe pse matematika ende e mban në lojë për të shpresuar. Megjithatë, situata te dibranët është kritike dhe për këtë mjafton të dëgjosh trajnerin Gerd Haxhiu në prononcimet pas ndeshjeve.

Në fakt, klubi ka kërkuar që t’i motivojë lojtarët me premio për të marrë pikë dhe luajtur me dinjitet deri në fund, por gjithsesi deri më tani kjo nuk ka dhënë efektet. Përjashto barazimin ndaj Tiranës, ku gjithashtu skuadrës iu premtua 15 milionë në rast fitoreje, Korabi ka njohur vetëm humbje.

“Sa të jem unë në krye të pankinës, nuk do të shikoni teatër, por lojë me dinjitet, për të respektuar kampionatin deri në fund. Kjo është një mundësi e mirë për lojtarët që të mbeten në treg”, – ka premtuar trajneri Haxhiu, i cili mori drejtimin e Korabit pas dorëheqjes së Artan Mërgjyshit.

Askush në kampin dibran nuk e kishte menduar se situata do të precipitonte pas muajit janar. Largimet e shumta nuk u kompensuan me afrime cilësore. I vetmi lojtar që mendohej se ishte goditje në merkato, që do të mund të bënte diferencën, ishte Ardit Hoxhaj. Por, edhe ky i fundit nuk ka arritur të tregojë më të mirën e tij deri më tani.