Korabi bie në 2 minuta, humb ndaj Partizanit

340

Në krye të renditjes, për herë të parë në këtë sezon. Partizani e shfrytëzoi maksimalisht asistin e marrë nga dueli direkt në Korçë vetëm 24 orë më parë dhe bëri detyrën përballë Korabit. Sfida me dibranët ishte një formalitet që të kuqtë e zgjidhën në harkun e dy minutave. Pas 30 minutave të vakëta në lojë, Partizani zhbllokoi rezultatin falë autogolit të Premçit. Ish-mbrojtësi i kuq ishte i pafat në topin e harkuar nga Fili, duke e dërguar në rrjetën e portës së tij. Për të mbyllur çdo diskutim mendoi Caleb Ekuban, që në të 32-ën bëri gjithçka mirë dhe me një goditje të saktë nga jashtë zonës mposhti për herë të dytë Laçon.

E ndërsa portieri i Korabit provoi të mbante të tijtë në lojë, duke frenuar tentativën e Vilës, Ekuban e fali në sekondat shtesë të pjesës së parë, duke shpërdoruar një rast mjaft të mirë. Me fitoren që dukej e hipotekuar, trajneri Starova vendosi ti jepte shansin Xhevahir Sukaj të debutonte. Por, me të kuqtë që po luanin me sforco minimale (min 56 fili), Korabi dha sinjale se nuk ishte dorëzuar. Fillimisht me kapitenin Mziu që gaboi shënjestër dhe pas tij me Jubanin goditja e lehtë e të cilit vendosi për herë të parë në provë portierin Alban Hoxha. E ndërsa Sukaj u aktivizua mes ovacioneve të mbështetësve të kuq që nuk munguan, Korabi ishte pranë golit të nderit me Jubanin.

Te Partizani, ishte traversa ajo që frenoi tentativën e mbrojtësit Ibraimi, ndërsa në 15 minutat e fundit Xhevahir Sukaj u mundua të bënte gjithçka për të shënuar. Pas më tepër se pesë muajve që nuk luante prej transferimit në kampionatin e Malajzisë, ku u rikuperua nga një dëmtim, sulmuesi kërkoi të shërbehej nga Boniface, Vila dhe Ekuban, të cilët vendosën të provonin zgjidhjet personale. Sukaj e mbylli ndeshjen me një karton të verdhë, por në fund e rëndësishme ishte fitorja  që e ngjiti Partizanin në vendin e parë përkrah Kukësit në kuotën e 52 pikëve përkrah. Për herë të parë në këto 26 javë të Kategorisë Superiore, ku diferenca e vetme ndërmjet kryesuesve lidhet me golavarazhin më të mirë të veri-lindorëve.

/Super Sport/