KLSH: Bashkia Dibër nuk ka raportuar për zbatimin e rekomandimeve, pasi auditimi i mëparshëm la pa u arkëtuar e korrigjuar rreth 196 milionë lekë

170
Foto ilustrim. Në të majtë godina e bashkisë Dibër. Në të djathtë kryetari i bashkisë, Rahim Spahiu

Bashkia Dibër nuk ka respektuar afatet ligjore për t’i dhënë Kontrollit të Lartë të Shtetit informacion mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit të mëparshëm. Ky auditim kishte evidentuar probleme financiare me vlerë rreth 196 milionë lekë (afro 2 milionë euro). Kjo del nga raporti përfundimtar i auditimit financiar për vitin 2025.

Raporti rikujton se auditimi i mëparshëm mbulonte periudhën 2023–2024 dhe u dërgua zyrtarisht më 2 dhjetor 2025. Sipas dokumentit, janë rekomanduar “44 masa organizative”, si dhe “4 masa të ardhura të munguara në vlerën 94,374,651 lekë”. Aty përfshihen edhe “2 masa për eliminimin e efekteve negative financiare të konstatuara në administrimin e fondeve publike me ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet, në vlerën 101,618,041 lekë”, si dhe “13 masa disiplinore”. Bashkia i kishte pranuar masat organizative, ato për efektet negative dhe ato disiplinore.

Ligji e detyron bashkinë të hartojë plan veprimi brenda 20 ditëve nga marrja e raportit. Audituesit shkruajnë se bashkia “për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së të dërguara me shkresën nr. 1084/21 prot., datë 02.12.2025 nuk ka kthyer përgjigje në KLSH”. Për afatin 6-mujor të raportimit për ecurinë e zbatimit, raporti përsërit: “Sipas verifikimit Bashkia Dibër nuk ka kthyer përgjigje në KLSH.”

Raporti shton se bashkia ka hartuar planin e veprimit, por “nuk ka raportuar rregullisht në këshillin e njësisë (këshillin bashkiak)”, siç kërkon neni 50 i ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore.

KLSH e cilëson këtë një shkelje të ligjit të saj organik. Në gjetjen nr. 13 shkruan se “nuk është kthyer përgjigje në plotësim të afatit 20 ditor dhe 6 muaj për zbatimin e rekomandimeve, veprime në kundërshtim me nenet 15 gërma j) dhe 30 pika 2 të Ligjit nr. 154/2014”.

Rezultati në praktikë është i dobët. Nga 13 masa organizative të rikërkuara, bashkia “ka pranuar 100% të masave”, por vetëm 1 është zbatuar dhe 12 janë ende në proces. Edhe pesë masat për uljen e borxhit tatimor janë në proces.

REKLAMË