Kancelari Scholz do të lehtësoj procedurat për punësimin e të huajve në Gjermani

515
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Foto: HANNIBAL HANSCHKE - AFP

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të mërkurën se qeveria e tij do ta bëjë më të lehtë për punëtorët e huaj të emigrojnë në Gjermani dhe të integrohen atje. Gjithashtu, ai tha se do të luftonte kundër ekstremizmit të djathtë, të cilin e konsideron kërcënimin më të madh për demokracinë e vendit të tij.

“Ne jemi një shtet emigracioni, nëse huazoj një term nga presidenti ynë, një vend me një të shkuar emigracioni. Por duhet të punojmë për t’u bërë një vend më i mirë për integrimin e të tjerëve”, tha ai në fjalën e parë në Bundestagun gjerman që pas marrjes së detyrës.

Qeveria e re gjermane, e formuar nga 3 parti; Social Demokratët, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, planifikon të lehtësojë edhe procedurat për marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe heqjes së kufizimit për pasjen e nënshtetësive të tjera, transmeton Bulqizaime.al.

Në vitet e fundit, Gjermania është shndërruar në destinacionin e preferuar për emigrantët, që kërkojnë azil ose punë në shtetin me ekonominë më të fuqishme të Bashkimit Europian. Përjashtim nga kjo nuk kanë bërë as shqiptarët. Në vitin 2019, 4000 shqiptarë kanë marrë vizë pune në Gjermani, ndërsa gjatë vitit 2020, për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit, kjo shifër ka qenë dukshëm më e ulët, vetëm 600.

Kontingjenti i vizave të Rregullores së Ballkanit Perëndimor

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u mundëson shtetasve të Ballkanit Perëndimor të punojnë në Gjermani edhe pa pasur një kualifikim të njohur zyrtarisht. Kusht është një kontratë pune në Gjermani.

Qeveria gjermane e ka përcaktuar kontingjentin total të vizave deri në 25 mijë viza pune në vit. Këtu përfshihen vetëm vizat, sipas Rregullores se Ballkanit Perëndimor, e cila është rinovuar më 1.01.2021 dhe vlen deri në vitin 2023. Ndarja është bërë në bazë të disa kritereve, të cilat sipas përgjigjes së qeverisë gjermane, janë: numri i popullsisë, numri i vizave të dhëna në vitin 2018 dhe 2019 dhe numri i kërkesave për vizë.