Albchrome, kompania më e madhe minerare e vendit mbylli vitin 2025 me afro 15 milionë euro humbje

629
Foto ilustrim

Albchrome sh.p.k., kompania më e madhe e sektorit minerar në Shqipëri, kryesisht të kromit në Bulqizë si dhe e uzinave të ferro-kromit në Elbasan dhe Burrel, ka mbyllur vitin financiar 2025 me një humbje prej 1.436 miliardë lekësh (rreth 14.84 milionë euro), sipas pasqyrave financiare të audituara nga “Grant Thornton” dhe të miratuara nga Asambleja e Ortakut të Vetëm në korrik 2026.

Shifra përfaqëson një përkeqësim krahasuar me humbjen prej 71.5 milionë lekësh të regjistruar në vitin 2024 — pra një humbje njëzet herë më e madhe brenda vetëm dymbëdhjetë muajve dhe shënon vitin e tretë rresht me rezultat negativ për kompaninë, pas një fitimi rekord prej mbi 4.5 miliardë lekësh në vitin 2022.

Rënia e të ardhurave: çmimet globale të ferro-kromit e goditën industrinë

Sipas shënimeve shpjeguese të pasqyrave financiare, të ardhurat e Albchrome nga shitjet ranë nga 6.497 miliardë lekë në 2024 në 5.231 miliardë lekë në 2025 – një rënie prej pothuajse 19.5%. Vetë kompania e shpjegon këtë me faktorë që kanë kaluar mbarë industrinë globale të ferro-kromit.

“Gjatë vitit 2025, prodhimi global i ferro-kromit u rrit me 10% në krahasim me vitin paraardhës, ndërkohë që konsumi u rrit vetëm me 4%,” thuhet në shënimet e drejtimit brenda pasqyrave financiare. “Si pasojë, niveli global i inventarit u rrit me 35%, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet e tregut.”

Në raportin vjetor të shoqërisë specifikohet se çmimet e ferro-kromit ranë me rreth 8% krahasuar me vitin 2024, ndërkohë që industria vazhdoi të përballej me pasojat e paqëndrueshmërisë së çmimeve të energjisë elektrike dhe efektet e mbetura të krizës energjitike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Për shkak të këtyre kushteve të tregut, Bordi i Drejtorëve vendosi të mos operonte me kapacitet të plotë prodhues gjatë vitit. Rezultati: vetëm 9,615 ton ferro-krom u prodhuan në uzinën e Elbasanit dhe 11,288 ton në atë të Burrelit. Nxjerrja e mineralit të kromit nga miniera e Bulqizës arriti në 82,104 ton gjatë vitit, gjithashtu në rënie krahasuar me vitet paraardhëse, siç dëshmohet edhe nga grafikët e vetë kompanisë që tregojnë një trend rënës të pandërprerë të nxjerrjes minerare që prej vitit 2021.

Nga fitimi operativ në humbje

Ndikimi te pasqyra e të ardhurave ishte i menjëhershëm dhe i thellë. Nëse në 2024 shoqëria kishte arritur ende të mbyllte me një fitim operativ modest prej 19.6 milionë lekësh, në 2025 kjo shifër u kthye në një humbje operative prej 1.546 miliardë lekësh.

Struktura e kostove tregon se shpenzimet kryesore mbetën relativisht të qëndrueshme ose në rënie të lehtë — kostoja e materialeve zbriti nga 2.889 miliardë në 2.804 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet për personelin ranë lehtësisht nga 1.719 në 1.697 miliardë lekë, në linjë me reduktimin e numrit të punonjësve. Problemi kryesor ishte, pra, jo kostoja, por rënia e ndjeshme e çmimit të shitjes dhe volumit të prodhimit.

Shkaqet e kësaj rënieje shpjegohen në pasqyrën e fluksit të mjeteve monetare:

Së pari, fluksi neto nga aktiviteti operativ ra në vetëm 231.8 milionë lekë, nga 1.536 miliardë lekë në 2024;

Së dyti, shoqëria shpërndau 923.7 milionë lekë dividend gjatë vitit, mbi bazën e fitimeve të akumuluara nga vitet e mëparshme të suksesshme. Gjithashtu u shlyen 587.4 milionë lekë principal huaje. Investimet në aktive afatgjata materiale dhe zhvillimin minerar konsumuan tjetër 411 milionë lekë.

Kombinimi i këtyre faktorëve – rënie e ardhurave operative, vazhdim i pagesave të dividendit dhe të huave, si dhe investime të vazhdueshme – e ka lënë shoqërinë me një pozicion likuiditeti jashtëzakonisht të ngushtuar në fund të vitit.

Mospërmbushje e kovenantave të huasë me BERZH

Në një zbulim tjetër domethënës, shënimet e pasqyrave financiare pranojnë se deri më 31 dhjetor 2025, Albchrome nuk ka përmbushur disa nga kovenantat financiare të parashikuara në marrëveshjen e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përkatësisht Raportin e Levës Neto (Net Leverage) dhe Raportin e Mbulimit të Shërbimit të Borxhit.

Si rrjedhojë e këtij shkeljeje teknike, pjesa e mbetur e principalit të huasë prej BERZH — 654.2 milionë lekë — është riklasifikuar në pasqyrat financiare nga detyrim afatgjatë në detyrim afatshkurtër, gjë që reflekton rrezikun që huadhënësi të kërkojë shlyerje të përshpejtuar. Drejtimi i shoqërisë pohon në shënime se, deri në datën e autorizimit të pasqyrave financiare, BERZH nuk ka kërkuar ende shlyerje të menjëhershme dhe se komunikimi me institucionin financiar vazhdon.

Për të përballuar luhatjet e normave të interesit mbi këtë kredi, shoqëria ka lidhur më parë një marrëveshje SWAP të normës së interesit me Raiffeisen Bank International, duke fiksuar një normë prej 3.05% në vit.

Njëkohësisht, në prill 2025 kompania ka kontraktuar edhe një hua të re afatshkurtër me Tirana Bank, në vlerë 4.4 milionë euro dhe 2 milionë dollarë, me maturim në prill 2026 dhe norma interesi respektivisht 6% dhe 6.61% — kjo për nevojën e shoqërisë për financim shtesë afatshkurtër për të mbuluar nevojat e kapitalit qarkullues.

Parimi i vijimësisë: Drejtimi siguron për “… të ardhme të parashikueshme”

Për shkak të kombinimit të humbjes së madhe dhe rënies drastike të likuiditetit, auditorët dhe drejtimi i shoqërisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vlerësimit të parimit të vijimësisë, pra aftësisë së kompanisë për të vazhduar operacionet e saj në të ardhmen.

Në shënimet shpjeguese, Drejtimi thekson se “gjendja financiare e Albchrome mbetet e qëndrueshme dhe solide, me fitime të pashpërndara në vlerën mbi 1.324 miliardë lekë në fund të vitit 2025”, të akumuluara kryesisht gjatë periudhës 2021–2022, kur çmimet e ferro-kromit arritën nivele rekord historike. Këto rezerva, thuhet në raport, “përbëjnë një rezervë të rëndësishme financiare” që mund të përballojë humbjet e vitit aktual.

Drejtimi thekson gjithashtu se ka marrë “në konsideratë respektimin e kushteve të marrëveshjeve ekzistuese të financimit” dhe se, “bazuar në këtë vlerësim, ka konkluduar se Shoqëria ka burime të mjaftueshme për të vijuar aktivitetin e saj për një të ardhme të parashikueshme”. Një element kyç i këtij sigurimi është edhe mbështetja financiare e disponueshme nga Grupi Yıldırım, i cili — sipas vetë pasqyrave — “ka burime të mjaftueshme dhe aftësi për të ofruar mbështetje financiare për Albchrome në kohë humbjeje”.

Viti i tretë rresht me humbje dhe reduktim i fuqisë punëtore

Raporti Vjetor i vetë shoqërisë ofron një panoramë katërvjeçare që tregon qartë trendin negativ.

Tabela dëshmon se shoqëria ka humbur rreth 24% të totalit të aktiveve të saj brenda vetëm tre vitesh, nga rreth 16.8 miliardë lekë në 2022 në 12.76 miliardë lekë në fund të 2025. Njëkohësisht, raporti Hua/Kapital ka rënë vazhdimisht nga 37.6% në 2022 në 13.3% në 2025, çka tregon se shoqëria ka reduktuar varësinë e saj nga financimi me borxh edhe pse kjo ka ndodhur paralelisht me shterimin e likuiditetit.

Krahas rënies financiare, Albchrome ka reduktuar edhe numrin e punonjësve të saj. Në fund të vitit 2025, kompania numëronte 889 punonjës, nga 958 një vit më parë — një ulje prej 69 vendesh pune, ose rreth 7.2%. Sipas ndarjes së paraqitur në Raportin Vjetor, reduktimi kryesor erdhi te miniera e Bulqizës (nga 593 në 556 punonjës) dhe te Zyrat Qendrore në Tiranë (nga 48 në 33 punonjës), ndërsa uzinat e Elbasanit dhe Burrelit patën gjithashtu ulje më të vogla.

Kompania mbetet, pavarësisht kësaj, një nga punëdhënësit më të rëndësishëm në qytetet e Bulqizës, Burrelit dhe Elbasanit.

Kontributi fiskal ra me mbi 24%

Sipas Raportit të Pagesave ndaj Institucioneve Publike, të hartuar në përputhje me nenin 21 të ligjit nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, Albchrome ka derdhur në buxhetin e shtetit dhe institucionet vendore gjithsej 796.65 milionë lekë gjatë vitit 2025, në krahasim me 1.049 miliardë lekë në 2024 — një rënie prej rreth 24%, e shpjegueshme kryesisht me faktin që shoqëria nuk pati detyrim tatim fitimi për shkak të humbjes së regjistruar. Në 2024 ky zë kishte qenë 230.6 milionë lekë.

Zërat kryesorë të kontributit fiskal për 2025 ishin: Sigurime shoqërore dhe shëndetësore: 376.9 milionë lekë, rentë minerare me 189.4 milionë lekë, tatim mbi të ardhurat personale me 172.9 milionë lekë dhe taksë karboni me 45.3 milionë lekë. Ndërsa tarifa dhe taksa lokale ishte 11.2 milionë lekë, kjo ndaj bashkive Bulqizë, Klos, Mat, Elbasan dhe Tiranë.

Strategjia e viteve të ardhshme: rritje prodhimi dhe investime të reja

Sipas Pasqyrës së Fluksit të Mjeteve Monetare, mjetet neto të përdorura për aktivitetin investues ranë nga 1.75 miliardë lekë në vitin 2024 në vetëm 127.8 milionë lekë në 2025, ose rreth 93% më pak. Blerjet e aktiveve afatgjata materiale u reduktuan nga 710.3 milionë në 228.9 milionë lekë, ndërsa shpenzimet për zhvillimin e aktiveve minerare ranë nga 234.8 në 182.3 milionë lekë.

Albchrome synon të rrisë nxjerrjen e mineralit të kromit nga aktualet mbi 90,000 ton në vit në 125,000 ton në vit deri në 2028, kryesisht përmes, thellimit të mëtejshëm të Minierës së Bulqizës nëpërmjet Pusit nr. 9, i cili tashmë ka dhënë akses në nivelin 21 dhe pritet të zgjasë jetën e minierës me të paktën 15–17 vjet shtesë;

Zhvillimit të minierës së re të Qafë-Buallit, e cila mund të aksesohet nga niveli 5 i Bulqizës dhe që aktualisht ndodhet në fazën e rikonstruksionit të punimeve kapitale ekzistuese; faza e hapjes dhe zhvillimit pritet të zgjasë rreth 3 vjet.

Sa i përket prodhimit të ferro-kromit, shoqëria synon të konsolidojë kapacitetin ekzistues prej 72,000 ton/vit ku 4 furra gjithsej mes Elbasanit dhe Burrelit dhe të përmirësojë efiçencën operacionale, pa sinjalizuar zgjerim të menjëhershëm të kapacitetit shkrirës.

Kompania Gjithashtu synon të vazhdojë investimet në projekte të drejtuara nga mjedisi, përfshirë pastrimin e pluhurit në uzinën e Elbasanit, si dhe projekte sociale, si rehabilitimi i rrugëve rurale pranë njësive të saj të prodhimit.

Albchrome ka një histori që daton në vitin 2000, kur koncesioni fillestar iu dha kompanisë italiane Darfo. Pronësia ka kaluar më pas nëpër duart e një grupi austro-rus (2007), plotësisht austriak (2009), grupit “Balkan Finance Investment Group” (2013), dhe së fundmi grupit turk Yıldırım/Yılmaden Holding (14 janar 2022).

REKLAMË