Dy viktima në Bulqizë brenda 24 orëve, njëri dyshohet se u vra nga familjarët, tjetri u qëllua për vdekje gjatë gjuetisë

494
Arma e përdorur në ngjarjen e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se një shtetas kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.

Dy ngjarje të rënda kanë tronditur Bulqizën brenda 24 orëve, duke shkaktuar dy viktima. Në fshatin Godvi, bashkëshortja dhe djali i një 62-vjeçari janë arrestuar, pasi dyshohet se e vranë dhe fillimisht e paraqitën vdekjen e tij si sulm nga një ari. Ndërsa në Fushë-Sopot, një 29-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se u qëllua aksidentalisht me armë gjahu nga një person tjetër gjatë gjuetisë.

Ngjarja e parë u regjistrua më 3 nëntor në fshatin Godvi, ku humbi jetën 62-vjeçari Urim Fiku. Fillimisht, familjarët raportuan se ai ishte sulmuar nga një ari teksa ndodhej në një zonë pyjore duke kullotur bagëtinë. Megjithatë, hetimet e kryera nga Policia e Dibrës dhe ekzaminimet mjekoligjore hodhën poshtë këtë version, duke zbuluar se 62-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.

Pas hetimeve të drejtuara nga Prokuroria e Dibrës, policia ka ndaluar bashkëshorten e tij, Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djalin, Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dy banues në Godvi. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë vrarë 62-vjeçarin me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.

Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një pistoletë model 54, së bashku me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e 4 nëntorit në pyllin e fshatit Fushë-Sopot të Bulqizës. 29-vjeçari E. L., banues në fshatin Strikçan, ka humbur jetën pasi dyshohet se është qëlluar aksidentalisht me armë gjahu gjatë një aktiviteti gjuetie.

Sipas informacionit paraprak të policisë, 44-vjeçari B. F., banues në Tiranë, gjatë gjuetisë dhe teksa qëllonte në drejtim të një kafshe të egër, dyshohet se ka qëlluar nga pakujdesia 29-vjeçarin. Ky i fundit ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

44-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ndërsa arma e gjahut, e dyshuar si e përdorur në ngjarje, është sekuestruar si provë materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave.

REKLAMË