Dy gola që në start, Laçi bën detyrën ndaj Korabit (Video)

372

Laçi ka bërë atë që i kërkohej në ndeshjen e sotme ndaj Korabit duke dalë në fund me tri pikët që i nevojiteshin për të dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Kurbinasit kanë shënuar 2 gola shumë të shpejtë në fillimin e ndeshjes, që i mundësoi të luanin më qetësisht e pas kanë humbur shumë raste për të mbyllur takimin duke shpërdoruar mundësi të mira para portës.

Ndërkohë, Korabi nuk u dorëzua dhe kërkoi me ngulm të kthehej në ndeshje, duke rrezikuar shpesh Selmanin. Por mungesa e një sulmuesi-goli ndikoi te dibranët të cilët nuk arritën të finalizonin ato mundësi që krijuan dhe u desh të dorëzoheshin duke regjistruar humbjen e radhës.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Merr fund takimi me fitoren e merituar 2-0 të vendasve.

90′ Tre minuta shtesë deri në mbylljen e ndeshjes.

80’ Laçi humb shansin e golit të tretë kur Mensah nxjerr një nga shokët e skuadrës me portë të boshatisur, por ky i fundit shpërdoron duke dërguar topin mbi traversë.

70’ Situatat zhvendosen sa në njërën portë në tjetrën, pasi edhe Korabi nuk tërhiqet nga sulmet e tij, duke zhvendosur disa herë situatat e rrezikshme në portën vendase me Hoxhajn e Mziun.

63’ Nika depërton në krahun e djathtë të zonës por tregohet egoist duke mos pasuar ën qendër për të kërkuar golin vetë me një gjuajtje diagonale që përfundon në rrjetën e jashtme.

60’ Lushkja provon me një gjuajtje nga një distancë shumë e largët, rreth 30 metra, ndërsa Prençi grushton me vështirësi për të ruajtur të paprekur rrjetën e portës së tij.

51’ Përsëri Mensah, një nga lojtarët që provon vazhdimisht të gjejë golin në këtë sfidë. Gjuajtja e tij brenda zonës këtë radhë devijohet jashtë nga një mbrojtës, duke rrezikuar autogolin pasi nxjerr në kundërkohë Prençin.

47’ Aksion i shpejtë i Korabit me Hoxhajn, i cili gjuan në hyrje të zonës por ndalet nga traversa e portës së Selmanit.

46′ Fillon pa ndryshime pjesa e dytë e ndeshjes.

45’+1’ Pjesa e parë mbyllet me një gjuajtje qendrore të Mensah, të kontrolluar nga Prençi.

45’ Arifaj shpërthen në krahun e majtë dhe pasi kalon një mbrojtës vendas nis një gjuajtje-pasim drejt qendrës që prek traversën e pastaj largohet në goditje nga këndi nga mbrojtja vendase.

44’ Harkim i gjatë nga e djathta për Serxhio i cili nuk arrin ta devijojë me kokë drejt portës duke shpërdoruar një mundësi të mirë për ekipin e tij.

37’ Mensah provon nga 25 netra të gjejë të papërgatitur portierin e ri Prençi, por nuk ka koordinimin e duhur dhe topi përfundon jashtë pa shqetësuar shumë gardianin e Korabit.

32’ Edhe Mensah gjuan nga jashtë zonës, por përsëri topi nuk gjen kuadratin pas një devijimi. Goditje e këndit pasardhëse nuk sjell asgjë pasi mbrojtja e Korabit spastron zonën.

28’ Një kundërzbritje nga e djathta përfundon me topin në këmbët e Vucajt i cili provon me një diagonale, por sfera ndalet nga mbrojtësit vendas që largojnë rrezikun.

25’ Pas një fillimi të vrullshëm, ka rënë disi ritmi i ndeshjes, pasi laçi qarkullon më shumë topin duke përgatitur me qetësi manovrën sulmuese.

https://vid.me/E081

11’ Vjen edhe goli i dytë i Laçit. Gjoni devijon në portë harkimin e Nikës duke siguruar shumë shpejt një avantazh të ndjeshëm për ekipin e tij.

https://vid.me/Tubw

5’ Vjen goli i shpejtë i avantazhit për Laçin. Pas një aksioni në krahun e majtë, Mensah çon topin në qendër dhe pas disa tentativash, topi përfundon te Lushkja i cili në hyrje të zonës godet dhe dërgon sferën në rrjetën e Korabit. 1-0

1’ Fillon ndeshja në një stadium ku ka një prani të ulët tifozësh.

Laçi-Korabi 2-0
5’ Lushkja, 11’ Gjoni

Laçi: Selmani, Gjoni, Lulaj, Musaj, Sefgjini, Lushkja, Jonuzi, Vucaj, Nika, Mensah, Serxhio.

Trajner: Bledar Sinella

Korabi: En. Prençi, Kaja, El. Prençi, Shabani, Arifaj, Zefi, Kaloshi, Jubani, Mziu, Gavazaj, Hoxhaj

Trajner: Gerd Haxhiu

KV: Nika / Zefi, Hoxhaj

Gjyqtar: B. Ziri