Dosja 184, dëshmojnë disa punonjës të policisë kërkuar nga të akuzuarit

1141
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Në Gjykatën e Dibrës u zhvillua të martën seanca gjyqësore e radhës ndaj ish-shefit të komisariatit të Policisë, Robert Aga dhe ish- administratorit të njësisë Lurë, Hasan Hoti.

Gjatë seancës, me kërkesë të mbrojtjes së Agës u thirrën për të dëshmuar disa punonjës të policisë së Dibrës, të cilët u pyetën në lidhje me zgjedhjet. Avokati i Agës, Gentian Dumani i pyeti dëshmitarët nëse ish- shefi i komisariatit ka ndikuar drejtpërsëdrejti apo tërthorazi tek vartësit e tij për të votuar në favor të njërës partie apo tjetrës si dhe nëse kishte ndikuar për favorizimin e ndonjë subjekti politik.

Punonjësit e policisë mohuan gjatë seancës që të kishin pasur ndërhyrje dhe iu përgjigjën pyetjeve me “Jo”.

Ndërkohë, i akuzuari tjetër për shpërdorim detyre në zgjedhjet e vitit 2016, ish- administratori i njësisë Lurë, Hasan Hoti, edhe pse mori pjesë në këtë seancë gjyqësore, e përcolli atë në heshtje.

Gjyqtarja e kësaj çështjeje, Nertila Kape kërkoi nga avokatët  të marrin të gjitha masat dhe të paraqiten në seancën që parashikohet të zhvillohet më 8 mars.

Ndërsa për gjysmën e dytë të dosjes, Gjykata e Dibrës nuk arriti të hënën (21 shkurt) të zhvillonte seancën e gjyqit ndaj ish-drejtorit të Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Ky proces drejtohet nga zv.kryetari i Gjykatës së Dibrës, Edvan Veçani. Veçani bëri me dije në fillim të gjyqit se një pjesë e viktimave nuk ishin paraqitur dhe policia nuk kishte sjellë përgjigje nëse ata ishin njoftuar. Gjyqtari tha se komisariati ka marrë dijeni për shkresën e gjykatës dhe nuk ka kthyer përgjigje për njoftimin e viktimave.

Të dy ish zyrtarët e lartë vendorë akuzohen për shpërdorim detyre përmes një skeme të manipulimit të zgjedhjeve lokale në vitin 2016, e njohur si çështja 184.