Dibrani që mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga Presidenti Nishani

435

Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani, i ka akorduar Presidentit të Dhomës Shqiptaro-Britanike të Tregtisë, Zenel Hoxha Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Qoftë dhe vetëm motivacioni i dekoratës së lartë që mban dekretin presidencial Nr.10123, datë 10.04.2017: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të tij në lëvizjet demokratike të fillimviteve ’90, për ndihmesën e vyer të dhënë përgjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e tij për ta afruar popullin shqiptar dhe atë britanik, përmes ofrimit të shërbimit ndaj zhvillimit të biznesit shqiptaro-britanik dhe përhapjes së gjuhës angleze në Shqipëri” është sintezë e vlerësimit të intelektualit të shquar dibran.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e dhënies së Titullit të lartë nga Presidentit të Republikës, të pranishmit, veçanërisht ata nga Zall Dardha e Dibrës shprehën krenarinë për atë që i nderoi dje dhe i nderon edhe sot me kontributin e tij të përmasave mbarëkombëtare. Një titull më se i merituar i dhënë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për Kontributin që Zenel Hoxha ka dhënë që në themelimin e demokracisë Shqiptare, në rritjen e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe. Duke qenë njëkohesisht dhe kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë ai ka dhënë dhe jep ndihmesën në edukimin dhe motivimin e rinisë Shqiptate duke iu dhënë mundësinë të jenë qytetarë të denjë Europianë.

Si një ndër firmëtarët e parë të themelimit të Partisë Demokratike në Dhjetorin e furishëm të vitit 1990, intelektuali vizionar Zenel Hoxha, që në 16 vjet nga themelimi e bëri Dhomën britanikë në Shqipëri me një histori suksesi në ndihmë të biznesit, parasëgjithash ia dedikon këtë Titull përkushtimit të tij ndaj Atdheut dhe kombit. “Përkushtimi im ndaj Atdheut dhe kombit tonë si një detyrim pa shperblim. Por motivacioni i sintetizuar dhe nënshkruar nga Presidenti ynë i nderuar është i paçmueshëm”,-shprehet ndër të tjera i dekoruari i djeshëm me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

I afirmuar si pjesë e elitës intelektuale Shqiptare por edhe si përfaqësuesi më në zë i botës së biznesit, Zenel Hoxha ka hyrë me dinjitet në analet e kësaj pjese vitale të historisë sonë kombëtare. Ai kultivoi dhe promovoi vlera qytetare, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmes dhe udhën e së ardhmes; ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar vazhdimësinë e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë…, vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës.

Zenel Hoxha është biri i një familje me tradita e emër të mirë nga Zall Dardha e Dibrës, ku gjenden të kombinuara mençuria, bujaria, fisnikëria e zemërgjerësia, që ai do t’i mishëronte e perfeksiononte ato gjatë gjithë karrierës së tij prej afro pesë dekadash. Në Zall Dardhë, Dibër e Tiranë, por edhe nga komuniteti shqiptar në Londër ai vlerësohet për ato tipare të thjeshtësisë e të komunikimit, të kultivuara që gjatë viteve kur shërbente në vendlindje dhe të perfeksionuara në dy dekadat e fundit, të shprehura këto qartazi në marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë, me të cilët qan hallet e tyre të punës e të jetës, por edhe me personalitete të shquara të kancelarive perëndimore.

Mbi të gjitha Z.Hoxha është mjaft i shoqërueshëm; lexon e shkruan, flet bukur në kuvende, takime e festa. Në bibliotekën e tij gjen të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare. Ndaj dhe kontributin e tij e gjejmë kudo, madje edhe në Projektin madhor TAP që është sigurisht një investim dhe mundësi e madhe për progresin e Shqipërisë.

Dhoma Britanike në Shqipëri ka dhënë një kontribut të çmuar sa i përket ndihmës ndaj biznesit por dhe individëve të cilët kanë kërkuar bashkëpunim. Është dhënë ofrim shërbimesh ndaj biznesit mbi 2500 kompani shqiptare dhe te huaja. 15 mijë nxënësve dhe studentëve iu është mundësuar mësimi i anglishtes dhe kompjuterit shumica e tyre falas. 190 studentë kanë studiuar në Mbretërinë e Bashkuar përmes Dhomës si dhe është mundësuar, ofrimi i të gjitha llojeve të trajnimit që biznesi ka nevojë. Janë mbajtur mjaft aktivitete prestigjioze në Dhomën e Lordëve dhe të komunave një marketim brilant i Shqipërisë në këto 16 vjet. Dhoma Britanike në Shqipëri nisi jetën e saj me shtatë anëtarë dhe tashmë numëron mbi 200 kompani anëtare.

Dhoma ka mbështet sektorin e bujqësisë nëpërmjet mundësimit të reklamimit të produkteve shqiptare në ekspozitat më të rëndësishme të Britanisë si dhe u përpoq dhe vuri në komunikim palët e interesuar për krijimin e Bankës Bujqësore. Dhoma Britanike ka memorandum bashkëpunimi me ministrinë e Bujqësisë dhe mbështet kompanitë me financime, ekspertizë si edhe marketim të tokave të papërdorura me qëllim nxitjen e investimeve të huaja në to. Dhoma Britanike plotësoi boshllëkun dhe ndikoi në një lidhje të fortë midis Parlamentit Britanik dhe atij shqiptar.

Halil Rama – (Botuar ne nr.e sotem (13 Prill 2017) te gazetes “BALLKAN”