Përfaqësuesit e dy kompanive italiane, “Clementi Srl” dhe “Tagliani Vivai international S.R.L” kompani të cilat merren me rritjen dhe tregtimin e mollëve, kanë zhvilluar një takim me banorët e Maqellarës.
Përfaqësuesit e këtyre dy kompanive u ndalën në fshatin Vojnik të Maqellarës. Specialistët italianë kanë shprehur interes për të shkëmbyer eksperiencën me fermerët dibranë në zhvillimin e frutikulturës, pasi ata kanë një përvojë të pasur në këtë drejtim.
Luis Clement, përfaqësuesi i kompanisë “Clementi Srl” deklaroi se infrastruktura është një problem, por që me ndërtimin e Rrugës së Arbërit kjo zonë do të marrë një dimension të ri. Ne duam të sjellim një teknologji të avancuar për këtë fushë dhe të punësojmë banorët, dhe jo që t’ju marrim tokat – u shpreh Luis Clement përpara banorëve.
Këto kompani kanë mëse tre vite që duan që të investojnë në Dibër dhe në këtë takim me banorët e Maqellarës, ishin të shoqëruar nga zv. ministri i Bujqësisë Roni Telegrafi dhe drejtori i Bujqësisë Dibër Novruz Jashari.
Kush është kompania Clementi Srl:
“Clementi Srl” është një kompani e specializuar në ruajtjen dhe shitjen e mollëve. Mollët ruhen, përzihen dhe paketohen në fabrikë për t’u shitur më tej në pika me shumicë dhe supermarkete.
“Clementi Srl” zë një pozitë të qëndrueshme në tregun ndërkombëtar. Ajo ka marrdhënie pune me vende të ndryshme evropiane, si Gjermania, por edhe me Rusinë, Lindjen e Afërt dhe të Mesme, dhe me Afrikën Veriore.
/bulqizime.al/