Bulqiza fiton me rezultatin 2-1 ndaj Valbonës së Tropojës

981
Klubi i Futbollit të Bulqizës

Klubi i Futbollit të Bulqizës ka fituar në përballjen me KF Valbonën e Tropojës me rezultatin 2-1, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të fazës së dytë në kategorinë e dytë të Kampionatit Shqiptar të Futbollit.

Ndeshja u zhvillua në Kompleksin “Internacional” në Tiranë, ku KF Bulqiza luan në mungesë të fushës në Bulqizë.

Në avantazh kaloi fillimisht skuadra e Valbonës, me golin e shënuar nga lojtari Zhutaj në minutën e 42-të të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë të takimit, KF Bulqiza ka barazuar rezultatin në minutën e 63-të me një gol të shënuar nga Myrte.

Në minutën e 71-të, Bulqiza arriti të shënonte edhe golin e dytë me anë të Merdinit, duke kaluar në avantazhin 2-1, çka do të vuloste edhe rezultatin e ndeshjes.

Ekipit të Bulqizës në këtë ndeshje i mungonin disa titullarë, Rubia e Halili, kjo për shkak të kushteve atmosferike të krijuar nga reshjet e borës. Gjatë ndeshjes nuk kanë munguar edhe tensionet me lajtarëve; Berisha dhe Shabani janë ndëshkuar me të verdhë nga gjyqtari Erion Bylykbashi. Ekipi i Valbonës e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutën e 88 dënohet me kartonin e kuq lojtari Seci.

Me këtë fitore, KF Bulqiza renditet e 6-ta në Grupin A të Kategorisë së Dytë, me 22 pikë.

Në vendin e parë renditet Shkumbini, në vendin e dytë Sopoti, në vendin e tretë Luzi, në vendin e katërt Tërbuni, në vendin e pestë Iliria. Pas KF Bulqizës në vendin e gjashtë, renditja ndiqet nga Gramshi, në vendin e tetë Ada, në vendin e nëntë Shënkolli, në vendin e dhjetë Valbona, në vendin e 11-të Internacional Tirana, në vendin e 12-të Klosi, në vendin e 13-të Spartaku dhe në vendin e 14-të Mirdita.