
Bashkia Dibër mbledh dukshëm më pak të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore sesa planifikon, ndërsa borxhi i familjeve dhe i bizneseve vazhdon të rritet. Kjo del nga raporti i KLSH për vitin 2025.
Plani për taksat dhe tarifat vendore ishte 300 milionë lekë, por u arkëtuan 205 milionë, ose 68%, pra 95 milionë lekë më pak. Sipas auditimit, drejtoria përgjegjëse nuk ka bërë analizë të hollësishme, sepse “nuk janë përfshirë, parashikuar edhe të ardhurat që do të vijnë nga arkëtimet si pasojë e detyrimeve nga vitet e mëparshme”. KLSH i kërkon drejtorisë të “eliminojë planifikimet formale dhe të kryejë parashikime të besueshme”.
Problemi nuk është vetëm te plani. Bashkia nuk ka kontroll mbi atë që duhej të mblidhnin agjentët tatimorë. Për vitin 2025 nuk janë mbajtur akt-rakordime mujore me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, ASHK, DSHTRR dhe agjentë të tjerë, me përjashtim të Ujësjellës Kanalizime Sh.A. Raporti thotë se bashkia “nuk ka asnjë bazë të dhënash për detyrimin e plotë që duhet të arkëtojnë agjentët tatimorë dhe vlerën e pa arkëtuar prej tyre”. KLSH kërkon të nisin procedurat për gjobitje 50% të shumave të pambledhura.
Borxhi i familjeve është rritur nga 53.1 milionë lekë në fund të 2024 në 57.5 milionë në fund të 2025, pas 4.3 milionë lekësh detyrime të reja. Audituesit shënojnë se “ky borxh tatimor është i pakontabilizuar” dhe se nuk janë ndërmarrë “në mënyrë të plotë dhe efektive” masat e mbledhjes me forcë.
Te bizneset, borxhi progresiv është 16.9 milionë lekë. Në vitin 2025 u arkëtuan vetëm 896 mijë lekë nga detyrimet e trashëguara, ndërsa u krijuan debitorë të rinj për 1.4 milionë. Subjektet janë njoftuar dhe janë nisur urdhër-bllokime llogarish, por, sipas raportit, “në asnjë rast nuk është kërkuar kallëzim penal”, edhe pse ligji e parashikon për mospagimin e taksave. Më tej, KLSH shkruan se nuk është dokumentuar analiza individuale e rasteve pas këtyre masave. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga legalizimet shton edhe 4.36 milionë lekë borxh.
Auditimi ka vënë në dukje edhe mënyrën si ruhen të dhënat. Drejtoria e taksave “për abonentë familjarë nuk disponon regjistra fizik”, ndërsa regjistrat mbahen në Excel. Sipas KLSH, kjo “paraqet një risk të lartë edhe ndaj defekteve të ndryshme teknike me pasojë humbjen e të dhënave”.
Në total, borxhet e familjeve dhe taksa e ndikimit (61.8 milionë lekë) nuk janë regjistruar në pasqyrat financiare. KLSH kërkon që bashkia t’i kontabilizojë dhe të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e tyre.









