Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin e rrugës lidhëse të Unazës Verilindore të Tiranës me Rrugën e Arbrit. Për kontratën me fond limit prej 491.3 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 5 milionë euro, është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomikë “PE-VLA-KU” sh.p.k. dhe “BIBA-X” sh.p.k.
Oferta fituese është 338.4 milionë lekë pa TVSH, rreth 3.4 milionë euro, ose 152.9 milionë lekë më pak se fondi limit, duke përfaqësuar një ulje prej 31.1%.
Në tender morën pjesë 13 operatorë ekonomikë, por nëntë prej tyre u skualifikuan, duke lënë vetëm katër oferta në garën përfundimtare. Mes të skualifikuarve është edhe kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët prej 307.4 milionë lekësh pa TVSH, si dhe bashkimi “Liqeni VII” dhe “Kthella”, me ofertë 329.9 milionë lekë.
Sipas ARRSH-së, skualifikimet lidhen kryesisht me mospërmbushjen e kritereve për stafin mbështetës, mbështetjen në kapacitetet e operatorëve të tjerë dhe mungesën e dokumentacionit të kërkuar për përvojën e ngjashme. Në një rast është evidentuar edhe mungesa e licencës së nevojshme për punime mjedisore.
Projekti parashikon zgjerimin e rrugës në 12 metra
Investimi synon të përmirësojë një nga nyjet e rëndësishme të qarkullimit në hyrjen verilindore të Tiranës, e cila lidh kryeqytetin me Rrugën e Arbrit dhe, nëpërmjet saj, me qarkun e Dibrës dhe pikën kufitare të Bllatës.
Pas hapjes së plotë të Rrugës së Arbrit, fluksi i automjeteve në këtë aks është shtuar, ndërsa segmenti lidhës është kthyer në një pikë problematike, veçanërisht gjatë fundjavave dhe orëve të pikut, kur krijohen radhë të gjata automjetesh.
Sipas projektit teknik, do të rikonstruktohen rreth 3 kilometra rrugë, e cila aktualisht ka gjerësi nga 7 deri në 10 metra. Pas ndërhyrjes, profili i saj do të zgjerohet në 12 metra, me dy korsi dhe një ndarëse qendrore një metër të gjerë. Në të dyja anët parashikohen trotuare me gjerësi dy metra.
Punimet përfshijnë rehabilitimin e shtresave asfaltike, ndërtimin e kunetave për largimin e ujërave, vendosjen e ndriçimit LED dhe sinjalistikës së re, si dhe përmirësimin e aksesit për personat me aftësi të kufizuara.
Një ndërhyrje e rëndësishme parashikohet edhe në rrjetin e kanalizimeve. Sipas raportit teknik, sistemi ekzistues është i amortizuar, me tubacione betoni dhe kapacitete të pamjaftueshme për përballimin e ujërave, duke shkaktuar përmbytje të përkohshme në disa segmente gjatë reshjeve intensive.
Dokumentacioni evidenton gjithashtu trotuare të amortizuara dhe mungesë të ndriçimit në pjesë të konsiderueshme të rrugës. Megjithatë, raporti teknik nuk specifikon numrin e pronave që preken nga investimi dhe sipërfaqen që do të shpronësohet.
Preventivi i përgjithshëm i projektit është rreth 672 milionë lekë me TVSH, ndërsa financimi do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit. Kontrata parashikon një afat zbatimi prej 18 muajsh.
Njoftimi i fituesit është publikuar më 2 shtator 2026 dhe pas tij kanë nisur afatet ligjore të ankimimit. Kontrata nuk rezulton ende e nënshkruar.











