Të mërkurën në mëngjes, Basri Xhafa, baba i 5 fëmijëve mbeti i vdekur nga një aksident në një galeri kromi në Martanesh. Fundi tragjik i Basriut është një kronikë e përsëritur në galeritë minerare të Bulqizës, ku gjatë viteve të fundit kanë humbur jetën 27 minatorë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.
“Ky rast na sjell në vëmendje kushtet e rrezikshme të punës, që ne minatorët durojmë ditë pas dite,” tha Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, SMBB. “Jeta dhe shëndeti i minatorëve janë të rrezikuar nga mungesa e investimeve në sigurinë në punë dhe indiferenca e institucioneve shtetërore,” shtoi ajo.
Kushtet e rënda të punës në miniera dhe aksidentet e shpeshta i ngritën gjatë vitit që shkoi një pjesë të minatorëve të Bulqizës, të udhëhequr nga SMMB në greva dhe protesta kundër Albchrome – kompanisë më të madhe të nxjerrjes së kromit në Bulqizë në pronësi të grupit Balfin.
Këto përplasje, sipas aktivistëve për të drejtat në punë, e shtynë kompaninë e udhëhequr nga Samir Mane – që shpesh etiketohet si njeriu më i pasur në Shqipëri, të nënshkruante një amendim të kontratës ekzistuese kolektive me Federatën Sindikale të Punëtorëve të Industrisë, FSPISH – një organizatë rivale e SMMB-së.
Amendimi i kontratës u afishua në minierën e Bulqizës dhe një kopje e fotografuar më 3 qershor iu dha BIRN nga aktivistët për të drejtat në punë. Sipas aktivistit Xhuliano Bregasi, kontrata e re ndalonte në nenin 45 të saj të drejtën kushtetuese të grevës.
“Kontrata është fotografuar nga njëri prej minatorëve. Ka qenë e afishuar në minierë, në një mur aty, sa futesh te porta kryesore, në krah të majtë,” tha Bregasi, anëtar i Organizatës Politike, i cili ka në telefonin e tij fotot me datën e 3 qershorit.
Në amendimin e kontratës, Albchrome merr përsipër rritjen e pagave nga 10-13 për qind për minatorët, ndërsa FSPISH në emër të minatorëve heq dorë nga e drejta e grevës.
“FSPISH garanton paqen absolute ndërmjet palëve në kuptim të nenit 169 të Kodit të Punës dhe heq dorë nga greva përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj kontrate,” shkruhet në kontratën me afat 5-vjeçar të afishuar në minierë në fillim të qershorit.
Sipas ekspertëve të të drejtave në punë, heqja dorë nga greva e bën këtë kontratë të paligjshme, pasi kjo është një e drejtë që njihet jo vetëm nga Kodi i Punës, por edhe nga Kushtetuta.
“Kjo pikë është antikushtetuese,” i tha BIRN Edison Hoxha, drejtori ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat në Punë, CLR.
E pyetur nga BIRN, Albchrome mohoi që kontrata e re u ndalonte minatorët të drejtën e grevës. Kompania minerare i dërgoi BIRN një fotografi të re të kontratës së afishuar në minierën e Bulqizës, e cila nuk përmbante amendimin kontrovers të nenit 45, ku FSPISH heq dorë nga greva.
“E drejta e grevës vazhdon të jetë e garantuar në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës,” thuhet në përgjigjen me shkrim të kompanisë.
E pyetur se kur dhe si ishte ndryshuar kontrata, Albchrome tha se “nuk mund të komentojmë materiale që nuk ua kemi komunikuar ne zyrtarisht.”
FSPISH nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN i dërgoi me email deri në publikimin e këtij shkrimi. Luan Nika, kryetar i Këshillit Sindikal i cili ka firmosur kontratën tha se përgjigjet për të do i jepte zyra qendrore. “Unë kam një kryetar”, tha Nika duke iu referuar Taf Kolecit që drejton FSPISH.
Inspektorati Shtetëror të Punës mbështeti pozicionin e kompanisë Albchrome, duke nënvizuar se kontrata lidhur me FSPISH nuk përmbante parashikime ekstra-ligjore.
“Gjatë inspektimeve të kryera nga ana e Degës Rajonale të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Qarku Dibër është administruar kopje e kontratës së sipërcituar, por në të nuk pasqyrohen parashikime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me vullnetin e palëve,” tha Inspektoriati.
Edhe Ministria dhe Ekonomisë – e cila mbulon të drejtat e punës, i tha BIRN se amendimet e kontratës të bëra nga Albchrome nuk shkelnin Kodin e Punës, ndërsa insistoi se ato e përmirësonin situatën e minatorëve.
“Këto ndryshime kanë përmirësuar situatën social-ekonomike të të punësuarve duke vendosur shpërblim që lidhet me tejkalim të treguesve të kompanisë, ndihmë financiare në rast vdekjeje të pjesëtarëve të familjes apo në rast martese,” tha MFE.
Lufta sindikale
Albchrome është shoqëria më e madhe industriale dhe punëdhënësi më i madh në sektorin e kromit në Shqipëri. Ajo zotëron një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare që nga viti 2001 për prodhimin dhe përpunimin e mineralit të kromit dhe ferrokromit.
Pasuritë e shoqërisë përfshijnë minierat e kromit në Bulqizë, fabrikat e ferrokromit në Elbasan dhe Burrel, fabrika e pasurimit të kromit në Klos, dhe elementë të tjerë të infrastrukturës minerare dhe metalurgjike. Nga viti 2001 deri në vitin 2013, Albchrome ka qenë në pronësi të kompanisë Darfo S.p.a dhe iu shit grupit Balfin në vitin 2013.
Gjatë vitit 2018 kjo kompani regjistroi të ardhura në vlerën 11.1 miliardë lekë dhe fitim pas taksave me vlerë 1.2 miliardë lekë. Shpenzimet e kësaj kompanie për personelin kapin një vlerë prej 1.46 miliardë lekë – e barasvlershme me 11.3% të xhiros vjetore.
Tradicionalisht minatorët e kësaj miniere janë përfaqësuar në marrëdhëniet e tyre me punëdhënësin nga FSPISH – e udhëhequr nga Taf Koleci, e cila ka mbajtur në përgjithësi marrëdhënie të afërta me pronarin e minierës.
Në tetor 2019, të pakënaqur me FSPISH dhe kushtet e punës, një grup punëtorësh të minierës, të mbështetur nga aktivistë të majtë të Organizatës Politike, themeluan Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, SMBB.
Tre ditë pasi u njoftua publikisht themelimi i sindikatës, Albchrome shkarkoi nga puna me pretendimin e shkeljeve disiplinore kreun e saj, Elton Debreshi. Në javët në vijim, kompania shkarkoi edhe tre minatorë të tjerë – anëtarë të Këshillit Sindikal të SMBB-së, ndërsa kjo e fundit u angazhua në një protestë disa ditore para hyrjes në minierë, për të kundërshtuar shkarkimet.
SMBB akuzoi kompaninë se kishte ndërmarrë shkarkimin e minatorëve, pjesë e saj me qëllim ushtrimin e presionit dhe pengimin e aktivitetit sindikal. Ajo pretendoi se dhjetëra minatorë të tjerë, anëtarë të saj u thirrën në Tiranë dhe iu nënshtruan presionit për t’u tërhequr nga sindikata.
Por Inspektorati i Punës, të cilit iu kërkua të verifikonte shkarkimet, vendosi që ato nuk ishin të lidhura me proceset sindikale dhe se nuk kishte gjetur shkelje bë veprimet e kompanisë. Kjo e fundit mohoi në vazhdimësi se arsyet e shkarkimit kishin të bënin me sindikatën e re.
FSPISH, sindikata që kishte kontratën kolektive me Albchrome dhe që ka nënshkruar së fundmi zgjatjen e saj, mori anën e kompanisë. Në një sërë qëndrimesh publike, ajo akuzoi sindikalistët e rinj si “një grup banditësh, të cilët kërcënuan punonjësit e minierës”.
Ndërkohë, prej dhjetorit të vitit që shkoi palët u përplasën për të drejtën e nënshkrimit të kontratës së re kolektive.
Drejtori i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha i tha BIRN se në një proces normal duhej të ishte nisur një proces pajtimi mes palëve dhe se po ashtu duhej të kishte pasur një proces që do të verifikonte se cila ishte sindikata që kishte mbështetjen e shumicës së minatorëve dhe që duhej të nënshkruante kontratën kolektive.
Por Albchrome dhe FSPISH e shmangën totalisht këtë proces. Ata njoftuan në janar se kishte një dokument me titull “Shtesë e kontratës kolektive” të nënshkruar në tetor 2019 para fillimit të përplasjeve, i cili kishte zgjatur pa kufizim afatin e kontratës kolektive që duhej të përfundonte në janar 2020.
Kjo zgjatje, siç pretendon Albchrome legjitimoi më pas nënshkrimin e amendamentit në maj 2020 me FSPISH, pa u detyruar të kërkohej verifikimi i sindikatës që kishte shumicën dhe pa bërë më herët shpallje publike për minatorët.
“Do të doja t’ju bëja me dije se nuk bëhet fjalë për një kontratë re, por për ndryshimin e kontratës ekzistuese (amendament)”, tha Albchrome në përgjigje të pyetjeve nga BIRN. Kompania pretendoi se amendamenti i ri ishte bërë për të reflektuar rritjen e pagave.
Por SMBB pretendon se ky dokument është një falsifikim. Ata thonë se FSPISH kishte publikuar në fund të nëntorit një deklaratë që është ruajtur si faksimile, në të cilën thuhet se kontrata kolektive mbaronte në janar 2020.
“Qartazi, sindikata e vjetër nuk e ka ditur që kontrata kishte ndryshuar, përderisa deklaroi më 30 nëntor se afati i kontratës ishte deri në 31 janar 2020”, shkruhet në deklaratën e SMBB-së.
Aktivisti Xhuliano Bregasi, anëtar i Organizatës Politike që ka mbështetur themelimin e SMBB-së dhe protestat e saj, i tha BIRN se qoftë kompania, qoftë FSPISH kishin lënë gjurmë në deklaratat publike se deri në dhjetor nuk kishte pasur ndonjë shtesë të kësaj natyre.
Por mundësitë për të provuar se shtesa e kontratës e nënshkruar mes kompanisë dhe FSPISH-së, nuk duket se mund të shkojnë përtej këtyre qëndrimeve publike. BIRN mësoi se nuk kishte garant të tretë të kësaj kontrate dhe as ndonjë mundësi për të verifikuar nëse ajo ishte nënshkruar në tetor, siç pretendojnë nënshkruesit apo në muajt pas lindjes së konfliktit për të shmangur SMBB-në.
Megjithatë, eksperti i të drejtave në punës, Edison Hoxha i tha BIRN se asnjë nga ndryshimet nuk mund të bëhej pa pasur një procedurë të rregullt të njoftimit të minatorëve dhe verifikimit të sindikatës që kishte shumicën e mbështetjes.
Hoxha tha se çdo ndryshim në kontratën kolektive duhej të konsiderohej si kontratë e re, pavarësisht nëse është [ndryshuar] një presje apo një fjali.
“Në çdo rast do duhej të kishte shpallje publike dhe njoftim të ndryshimit që po bëhej dhe po ashtu në çdo rast do duhej të provohej që nënshkruesit kishin shumicën e përfaqësimit”, tha ai.
“Amendimi është bërë për të shmangur procedurën e provimit të shumicës,” tha Hoxha, ndërsa shtoi se e vetmja mënyrë për të kundërshtuar këtë, ishte ndjekja e hallkave të ankimit dhe procesit gjyqësor.
Akuzat për shkelje të Kushtetutës
E drejta e grevës garantohet në nenin 51 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe përveç punonjësve të sektorëve jetikë të cilëve u ndalohet greva, në të nuk ka asnjë parashikim për heqje dorë prej saj qoftë edhe vullnetarisht. Kjo e drejtë sanksionohet edhe nga Kodi i Punës, i cili ndalon çdo veprim që cënon pjesëmarrjen me vullnet të punonjësve në grevë.
Aktivistët pretendojnë që varianti i kontratës i afishuar në minierën e Bulqizës deri me 3 qershor – kur është fotografuar nga minatorët, i ndalonte këtyre të fundit të drejtën e grevës.
Sipas Edison Hoxhës, në qoftë se është i vërtetë ky amendim i kontratës kolektive nga FSPISH dhe Albchrome, do ishte qartazi në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, Hoxha nënvizoi se nëse nuk kundërshtohej në gjykatë, ajo do të mbetej e tillë dhe se çdo grevë e minatorëve do të konsiderohej e paligjshme.
“Njerëzit nuk do shkojnë të verifikojnë Kushtetutën për sa kohë ka një kontratë, e cila është firmosur në emër të minatorëve,” tha Hoxha. Ai shtoi se ndryshime të tilla duhej të kishin kaluar vetëm pasi minatorët të ishin informuar.
Parashikimi është një ndryshim në amendament i nenit 45 të kontratës së vjetër. Në këtë pikë FSPISH si përfaqësuese e punëmarrësve merr përsipër të garantojë zbatimin e kontratës nga të gjithë punëmarrësit për 5 vjet, duke garantuar po ashtu edhe përfitimet e përmendura apo ndryshimin e pagave që në të njëjtin nen konsiderohen të panegociueshme.
Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës, e cila pati këmbëngulur të ishte ajo nënshkruese e kontratës kolektive, e sulmoi këtë ndryshim si shkelje të rëndë të të drejtave të punëtorëve.
“Greva është një e drejtë që punëtorëve në Shqipëri ua garanton Kushtetuta, Konventat Ndërkombëtare dhe Kodi i Punës. Minatorëve të Bulqizës këtë të drejtë po përpiqet t’ua mohojë kompania Albchrome dhe një palo-sindikatë”, thuhet në qëndrimin e SMBB-së.
Sindikata thotë se kontrata ishte kësisoj e paligjshme, ndërsa e akuzon FSPISH si të korruptuar, pasi ka pranuar këtë pikë “duke dhunuar vullnetin dhe liritë themelore të minatorëve”.
Albchrome mohoi që amendimi të kishte efekt përkeqësues dhe që ndalonte grevat.
“Ashtu si edhe është përmendur më sipër, e drejta për të kërkuar zbatimin e marrëveshjes së përbashkët që përmblidhet në kontratë nuk i humbet asnjëherë asnjë punonjësi të Albchrome”, thuhet në reagim.
Kompania ndër të tjera pretendon se ndryshimet ishin përmirësime të kushteve dhe se bëheshin në një kohë të vështirë.
“Ky ndryshim vjen në një moment mjaft të vështirë për industrinë minerale jo vetëm në rajon, por në të gjithë globin. Ka mbi dy vite që i gjithë sektori minerar po vuan rënien e çmimeve në tregjet botërore”, tha Albchrome.
Xhuliano Bregasi i tha BIRN se përfitimet e pretenduara nuk ishin të sigurta për shkak se kompania nuk kishte bërë transparente normat e punës. Ai shpjegoi se për sa kohë kompania mund të rriste normat pa kontroll, rritja e pagës ishte vetën në dukje, pasi punëtorëve mund t’u kërkohej të punonin më shumë.
Albchrome i tha BIRN se nuk mund të vinte në dispozicion normat, duke theksuar se ato ishin të ndryshme dhe vareshin nga ajo që bënte secili nga 626 punonjësit e saj.
“Secili prej tyre ka një përshkrim pune të detajuar ku bëjnë pjesë edhe normat përkatëse”, tha kompania, duke shtuar se punonjësit dhe sindikata kishin qasje ke përshkrimi i normës së punës.
Nga ana e saj, SMBB pretendoi një sërë disavantazhesh të tjera për minatorët në kontratën e re duke u shprehur se kompania ka hequr një shpërblim që jepej në varësi të arritjeve të normës një herë në vit dhe se kjo gati e përgjysmonte rritjen e pagës.
SMBB pretendon se rritja e pagës, e para pas më shumë se 7 vjetësh, ishte në thelb pasojë e protestave të dhjetorit dhe presionit të ushtruar prej saj. Por ajo thotë se kjo është e pamjaftueshme dhe se amendimi cënon një sërë të drejtash të minatorëve.
“Për më tepër, afati 5-vjeçar i kësaj kontrate, mes dy palëve që nuk kanë pyetur aspak për vullnetin e punëtorëve, është i papranueshëm”, thuhet në një deklaratë të sindikatës.
Kompania Albchrome mohoi që kishte përkeqësim të kushteve. “Nuk ka asnjë rishikim në dëm të punëtorëve tanë,” thuhet në reagimin e kompanisë. Ajo pretendoi se shpërblimi i hequr kishte qenë i parashikuar vetëm për një vit.
BIRN kontaktoi me disa minatorë. Qëndrimet e tyre mbi kontratën, kryesisht mbi kushtet financiare të saj ishin të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk pranoi të identifikohej. Minatorë që ishin pjesë e FSPISH thanë se kushtet e tyre ishin plotësuar dhe se kjo kishte qenë ajo që kishin kërkuar.
Një minator i vjetër tha se rritja e pagës ishte shoqëruar me heqjen e një shpërblimi vjetor, gjë që gati e përgjysmonte rritjen reale vjetore. Ndërkohë një minator me 15 vjet punë theksoi se ishte i kënaqur me rritjen dhe ruajtjen në kontratë të disa shpërblimeve që ishin vendosur më herët, për festa si Bajrami dhe 8-Marsi.
Ndërkohë, minatorë të tjerë u shprehën të pasigurt mbi kontratën dhe përfitimet financiare. BIRN mësoi se për shkak të përplasjes mes palëve, tensionet në minierë janë rritur dhe pak minatorë pranojnë të flasin me median.