Deformimet në Tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, janë bërë edhe më të dukshme, ndërsa dëmtimet në një segment prej afro 50 metrash të trasesë kanë avancuar. Shtresa asfaltike paraqet çarje, valëzime dhe fundosje, ndërsa shenja dëmtimi dhe çarje vërehen edhe në betonin e tunelit.
Pamjet e fundit tregojnë përkeqësimin e gjendjes së segmentit të prekur, duke rikthyer shqetësimet për qëndrueshmërinë e veprës dhe nevojën për ndërhyrje. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar që të sqarojë shkallën e dëmtimeve, shkaqet e tyre dhe masat që do të merren për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka pranuar zyrtarisht se Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, është hapur për qarkullim pa përfunduar ende procesi i kolaudimit, procedurë e detyrueshme ligjore që certifikon sigurinë teknike dhe strukturore të veprës.
Tuneli i Murrizit u hap për qarkullim më 14 mars 2025, pak ditë para zgjedhjeve, dhe u prezantua nga qeveria si një vepër e përfunduar dhe plotësisht funksionale. Në ceremoninë zyrtare u deklarua se ishte ndërtuar sipas standardeve më të larta teknike dhe se garantonte qarkullim të sigurt, pa ndërprerje trafiku. Hapja u shoqërua me aktivitet festiv, duke u paraqitur si një nga arritjet kryesore infrastrukturore të viteve të fundit.
Burime jozyrtare pranë kompanisë “Gjoka”, e cila ka ndërtuar tunelin dhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës, i thanë Bulqizaime.al se pritet që në një kohë të afërt të ndërpritet qarkullimi i automjeteve në tunelin kryesor, me qëllim kryerjen e punimeve për sistemimin e dëmtimeve të konstatuara.
Sipas të njëjtave burime, për qarkullimin gjatë periudhës së ndërhyrjes po shqyrtohen dy alternativa. E para është përdorimi i tunelit të emergjencës, ku punimet nuk kanë përfunduar ende plotësisht dhe i cili nuk është funksional në të gjitha aspektet. Alternativa tjetër është rikthimi te bajpasi i Murrizit, rruga që përdorej përpara hapjes së tunelit kryesor.
Ndërkohë, prej ditësh kanë nisur punimet për rehabilitimin e bajpasit, çka mund të lidhet me nevojën për të siguruar një rrugë alternative në rast të mbylljes së tunelit kryesor. Megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka një vendim apo njoftim zyrtar për datën e mundshme të ndërprerjes së qarkullimit dhe mënyrën se si do të organizohet trafiku.
Tuneli i Murrizit përbëhet nga tuneli kryesor me gjatësi 3,789 metra dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3,781 metra. Ai është pjesë e një projekti të ndërtuar me skemën PPP, një nga projektet më të kushtueshme dhe më të zvarritura në kohë në Shqipëri. Sipas dokumenteve buxhetore, pagesat për këtë kontratë parashikohet të vazhdojnë deri në vitin 2031, ndërsa kostoja totale e projektit kap vlerën mbi 40 miliardë lekë.










