VIDEO/ Kamza fiton 2-1 ndaj Burrelit, tensione në fushë

382

Kamza ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 në shtëpi ndaj Burrelit në ndeshjen e vlefshme për javën e 6 të grupit të play off-it në Grupin A të Kategorisë së Parë.

Skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu e pa veten në disavantazh pas 7 minutash teksa Onuh kaloi miqtë në epërsi, por në minutën e 50 Morina barazoi shifrat me anë të një penalltie.

Teksa minutat kalonin, këmbëngulja e Kamzës shtohej dhe goli i përmbysjes u shënua vetëm në minutën e 6 të shtesës, sërish nga Morina, por ky gol shkaktoi shumë polemika. Arbitri anësor e anuloi si fillim golin për pozicion jashtë loje, por pas protestave të shumta të vendasve dhe konsultimit me arbitrin kryesor, vendimi u kthye dhe goli u quajt i rregullt.

Në këtë moment shpërthyen protestat nga ana e lojtarëve të Burrelit dhe Donald Mëllugja u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri kryesor Albano Stolaj. Nervozizmi i Mëllugjës ishte tepër i madh dhe u nevojit ndërhyrja e forcave të policisë private për ta ndaluar atë nga një përplasje fizike me gjyqtarin.

Pas këtij takimi, Kamza mbetet në krye të renditjes me 35 pikë të grumbulluara, duke e çuar diferencën me Beselidhjen e vendit të dytë në 5 pikë. Lezhjanët luajnë nesër ndeshjen e tyre teksa presin në shtëpi Erzenin.