
Banorët e Bashkisë Mat kanë kundërshtuar propozimin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Dibër për rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, gjatë dëgjesës publike të zhvilluar sot në Burrel.
UKD propozon që tarifa e ujit për abonentët familjarë në Mat të rritet nga 23 në 40 lekë për metër kub, ose rreth 74% më shumë. Tarifa e kanalizimeve do të kalonte nga 2 në 15 lekë për metër kub, ndërsa tarifa fikse mujore nga 67 në 150 lekë.
Për institucionet publike, tarifa e ujit propozohet nga 60 në 80 lekë për metër kub, ndërsa kanalizimet nga 4 në 30 lekë. Tarifa fikse do të rritej nga 150 në 300 lekë. Të njëjtat tarifa janë propozuar edhe për abonentët privatë.
Gjatë dëgjesës, qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj rritjes, duke vënë në pikëpyetje përmirësimin e shërbimit që UKD e lidh me tarifat e reja. Një prej shqetësimeve kryesore ishte fakti se një pjesë e konsiderueshme e banorëve janë pensionistë, përfitues të ndihmës ekonomike ose pa punë dhe, sipas tyre, një rritje e tillë do të rëndonte më tej familjet.
“Si mund ta ngresh çmimin e ujit kur unë jam zonë turistike dhe kur turisti vjen në Klos, atje tek bujtina nuk ka ujë”, u shpreh një prej pjesëmarrësve, duke kërkuar që përpara rritjes së tarifave të garantohet shërbimi.
Një tjetër propozim i ngritur gjatë dëgjesës ishte që tarifat të vendosen me fasha konsumi, duke mbajtur një tarifë më të ulët për konsumin bazë të familjeve dhe duke aplikuar tarifa më të larta për konsumin mbi një nivel të caktuar.
Qytetarët dhe përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak kërkuan gjithashtu më shumë transparencë mbi kostot e shërbimit, numrin e punonjësve, humbjet në rrjet dhe mënyrën se si do të përdoren të ardhurat shtesë nga rritja e tarifave.
Në dëgjesë u vu në dukje edhe se 72% e kostove operative të UKD-së lidhen me personelin, ndërsa u kërkua që shoqëria të paraqesë një plan konkret investimesh dhe përmirësimi të shërbimit, në mënyrë që rritja e tarifave të shoqërohet me rezultate të matshme.
Tarifa të unifikuara për të gjithë qarkun
Propozimi i UKD-së synon në thelb një unifikim të tarifave në katër bashkitë që janë pjesë e shoqërisë rajonale, Mat, Klos, Bulqizë dhe Dibër. Për familjarët propozohet tarifë 40 lekë për metër kub ujë, ndërsa për klientët publikë dhe privatë 80 lekë.
Edhe në Bulqizë dhe Klos, ku janë zhvilluar diskutime për të njëjtën kërkesë, qytetarët dhe këshilltarët kanë ngritur shqetësime për raportin mes çmimit të propozuar dhe cilësisë së shërbimit.
Në Mat, Këshilli Bashkiak ka refuzuar të japë një mendim për tarifat në këtë fazë, duke i kërkuar UKD-së që fillimisht të zhvillojë dëgjesa publike me qytetarët dhe më pas të paraqitet me një kërkesë të re për unifikimin e tarifave.










