VIDEO/ Franca e nderon Ramën me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”

236

Kryeministri Edi Rama u nderua sot nga Presidenti francez Hollande me dekoratën e lartë të Komandantit të Urdhrit të Legjionit të Nderit. Ky dekorim krejt surprizë u krye jashtë kushteve normale të reciprocitetit, gjë shumë e rrallë në protokollin e Presidencës Franceze që në rastin e figurave shtetërore akordohet vetëm si njohje meritash të veçanta.

Pikërisht për meritat e posaçme në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe politikën rajonale të Edi Ramës, si edhe për një inkurajim personal për Kryeministrin shqiptar në dinamikën euro-integruese të Shqipërisë e në drejtimin e duhur të nisur 4 vite më parë, Presidenti i Francës ka vendosur t’i akordojë shefit të ekzekutivit shqiptar titullin e lartë.

Në fjalën e tij Presidenti francez gjatë ceremonisë së dekorimit, vlerësoi maksimalisht Kryeministrin Rama duke e quajtur një mik të madh të Francës dhe një europian të bindur.

Sipas Cazeneuve, kreu i ekzekutivit shqiptar, ka merita të veçanta në partneritetin strategjik franko-shqiptar. Ai shtoi se Rama, e ka sjellë më pranë se kurrë Shqipërinë në gjirin e familjes europiane, ndërsa po këtë klimë europiane ka dhënë edhe në Ballkan me marrëdhëniet me Serbinë.

“Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim. E di që tashmë ato janë të shumta, duke filluar me Trans-Adriatic Pipeline, këtë projekt madhor infrastrukture, realizimi i të cilit iu besua vitin e shkuar një sipërmarrjeje franceze. Por edhe Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Ju jeni i pari shef i Qeverisë shqiptare që e keni angazhuar, me kurajë, vendin tuaj në rrugën e pajtimit me Serbinë; dhe sidomos ia keni dalë, në marrëveshje me homologun tuaj serb, të ngrini një Zyrë Rajonale të Rinisë që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë nismë të bukur, themeluar mbi modelin e Zyrës franko-gjermane të Rinisë që kishin krijuar në kohën e tyre Gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer. Duke ju pranuar sot në gjirin e Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit, Republika i bën kësisoj homazh një burri shteti, një miku të madh të Francës dhe një europiani të bindur, që punon në mënyrë të palodhur për t’i dhënë Shqipërisë vendin që i takon në gjirin e Eurpës, ashtu siç edhe ne e dëshirojmë, të fortë, të begatë dhe paqësore.” tha Cazeneuve.

Ndërsa nga ana e tij, shefi i qeverisë shqiptare, falenderoi popullin dhe Presidentin francez për nderimin e bërë, ndërsa e cilësoi këtë si një “ëndërr që ende nuk e kisha parë”.

“Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht është më se e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha parë.” tha Kryeministri

Kryeministri Edi Rama mban tashmë të njëjtën gradë sipërore në Legjionin e Nderit si shkrimtari Ismail Kadare. Edi Rama është i pari Kryeministër shqiptar që nderohet me këtë dekoratë që nga vitet ’30 dhe i vetmi që dekorohet jashtë kushteve të reciprocitetit, me iniciativë të vetë Presidentit francez. E njëjta praktikë jo reciprociteti u ndoq para pak muajsh edhe për Sekretarin e Shtetit John Kerry, të cilit i’u akordua i njëjti titull i lartë nga Presidenti i Republikës së Francës.

Dekorata e lartë iu dorëzuar Kryeministrit Rama gjatë një ceremonie nga Homologu i tij francez Bernard Cazeneuve. /Lexo.al/