Vetëm një Zot mund të na shpëtojë … ?

157
Dom Gjergj Meta

Dje, ndërsa udhëtoja për të shkuar në Kurbnesh, siç bëj çdo të martë, dhe përshkoja rrugën nga Livadhi i Turkut deri te kisha e shna Ndout, e cila gjendet ndër varret e Kurbneshit, nuk na mbeti pjesë e trupit e padërrmuar, mua dhe atyre që ishin bashkë me mua. E njëjta gjë ndodh edhe kur shkoj në Simon, Kaçinar, Malaj, Orosh, etj.

Prej shtatë vitesh tashmë, endem nëpër Mirditë pothuajse çdo ditë. Njësoj si unë bëjnë edhe bashkëpunëtorët e mi: motra, meshtarë e laikë, që mundohen të kryejnë detyrën e tyre në ndihmë të atyre “mohikanëve të fundit”, të cilët banojnë ende në këtë vend.

Kur kalon nëpër fshatrat e Mirditës dhe sheh se sa të tmerrshme janë rrugët, e kupton mirë se pse kanë ikur njerëzit e kanë mbetur vetëm ata që s’kanë ku të shkojnë. Si do të mundnin ata njerëz të rritnin fëmijë atje, t’i çonin në shkollë, t’u krijonin jetë sociale pas shkolle? Si do të mundnin të moshuarit të rrinin me njëri-tjetrin e të kishin shërbimet bazë shëndetësore në ato vende, që të kujtojnë gjëra të shekujve të kaluar? Si do të mundnin prindërit të shkonin në punë, të lëviznin, etj., etj.? Si ia bëjnë njerëzit që çdo ditë duhet t’i përshkojnë ato rrugë për nevoja të ndryshme?

Zemërimi merr hov vetvetiu: – Si ka mundësi që këto zona janë në vend numëro prej më se 30 vitesh nga rënia e komunizmit, madje edhe më keq, ndërkohë që çdo ditë mediat na flasin për miliona e miliona euro që pretendohet se kanë shkuar në llogari individuale?! Unë nuk e di se sa të vërteta janë këto akuzat e kohëve të fundit për milionat e eurove të pretenduara si të abuzuara. Me siguri, në mos hetimi, koha do ta tregojë vërtetësinë apo pavërtetësinë e tyre.

Sikur të ishte një rend i drejtë i shpërndarjes së pasurisë! Sikur të krijoheshin mekanizma kontrolli efikasë e të mos pasuroheshin vetëm pak njerëz me fondet publike, me tenderat abuzivë, me makinacionet e konjukturat e ndryshme! Sikur të mos përfitonin në mënyrë të babëzitur disa individë apo familje, që notojnë në luks, por e gjithë kjo pasuri të investohej në punë publike edhe në fshatrat më të thellë! Atëherë gjithçka do të ishte ndryshe…

Në fakt, gjithçka do të ishte ndryshe, sikur kjo shoqëri e jona të kultivonte ndjenjën e neverisë ndaj korrupsionit dhe ta shikonte çdo gjë të përbashkët si të vetën ose të paktën të kujdesej për atë pjesë që i takon. Fakti që pas 33 vitesh, vazhdojmë të rropatemi nëpër gropa rrugësh e gropa financiare, tregon se jemi një shoqëri ende e papjekur dhe se asnjë reformë në drejtësi nuk do të arrijë ta ndreqë gjendjen në të cilën jemi, në rast se nuk reformohet brendia jonë.

Dialektika politike, diçka krejt normale në vendet demokratike, këtu te ne, dita-ditës po dështon që të kthehet në një proces transformues të shoqërisë. Nuk e di nëse mund ta them me titullin e një interviste të Martin Heidegger-it, por “veç një Zot mund të na shpëtojë”.