Statusi i munguar i minatorit. Ligji, debati politik dhe realiteti i galerive

502
Foto ilustruese

Debatet e fundit në Komisionet e Kuvendit për projektligjin “Për statusin e minatorit” kanë nxjerrë në pah një kontradiktë thelbësore mes asaj që ligji parashikon dhe asaj që realiteti i minatorëve kërkon. Mazhoranca e rrëzoi nismën me argumentin se ekziston tashmë një kuadër ligjor funksional, ndërsa opozita dhe deputetë të forcave të reja politike argumentuan se ky kuadër është i pamjaftueshëm dhe nuk trajton thelbin e problemit: mbrojtjen reale të jetës dhe shëndetit të minatorit.

Aktualisht, minatorët përfshihen në disa ligje. Ligji nr. 150/2014 për pensionet e minatorëve të nëntokës u njeh atyre të drejtën e daljes në pension në moshën 55 vjeç, për sa kohë kanë 30 vite sigurim, nga të cilat të paktën 12 vite e 6 muaj në nëntokë. Ky ligj parashikon edhe një kontribut shtesë prej 5%, që financohet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, për të mbuluar daljen e parakohshme në pension. Në këtë aspekt, ligji trajton vetëm moshën e pensionit dhe jo pasojat shëndetësore të profesionit.

Ligji nr. 29/2019 shton një përfitim financiar suplementar mbi pensionin bazë: 1% shtesë për çdo vit pune në minierë, me kusht që punonjësi të ketë të paktën 12.5 vite punë në nëntokë. Kjo shtesë indeksohet çdo vit njësoj si pensionet e tjera. Por edhe ky ligj kufizohet në një aspekt të vetëm: të ardhurat pas daljes në pension. Ai nuk njeh status profesional të veçantë për minatorët, nuk rregullon mbrojtjen shëndetësore, nuk parashikon trajtim preferencial për sëmundjet profesionale dhe nuk garanton dëmshpërblime të posaçme për familjarët në rast vdekjeje në punë.

Nëse minatori nuk i plotëson kushtet e këtyre dy ligjeve specifike, ai trajtohet sipas skemës së përgjithshme të sigurimeve shoqërore, ku në vitin 2026 mosha e pensionit për burrat është 65 vjeç dhe për gratë 62 vjeç. Kjo krijon një ndarje artificiale mes atyre që kanë arritur pragjet ligjore dhe atyre që janë konsumuar fizikisht nga puna, por nuk i plotësojnë dot kriteret.

Këto boshllëqe ligjore u reflektuan drejtpërdrejt në diskutimet parlamentare. Deputetë si Redi Muçi argumentuan se “profesioni i minatorit është më i rrezikshmi” dhe se statusi nuk është lëmoshë, por e drejtë historike. Kliti Hoti e quajti çështjen një test vullneti politik. Nga ana tjetër, relatori Klevis Jahaj dhe kryetarja e komisionit Anila Denaj mbrojtën idenë se ligji 29/2019 ofron tashmë trajtim të mjaftueshëm dhe se një status i veçantë do të fragmentonte sistemin e mbrojtjes sociale dhe do të krijonte kosto të papërballueshme për buxhetin.

Por realiteti social e rrëzon këtë logjikë ligjore.

Në dekadat e fundit dhjetëra minatorë kanë humbur jetën në galeri, kryesisht në Bulqizë dhe Klos. Ndërsa shumë aksidente që ndodhin në këtë sektor sjellin pasoja të pakthyeshme për shëndetin dhe aftësinë në punë të punëtorëve. Familjarët e viktimave përfitojnë dëmshpërblime, shpesh sipas vullnetit të kompanive private të sigurimit, ndërsa shumë minatorë që dalin në pension nuk arrijnë ta gëzojnë atë për shkak të sëmundjeve kronike pulmonare, fibrozës dhe dëmtimeve të pakthyeshme. E disa të tjerë e çojnë një pjesë të madhe të pensionit për blerjen e ilaçeve si pasojë e sëmundjeve profesionale.

Premtimi për statusin e minatorit është përsëritur që nga viti 2009 nga kryeministri Edi Rama dhe është rrëzuar disa herë me të njëjtin argument: kosto financiare dhe mungesë analize. Në vitin 2017, një draft i ngjashëm u rrëzua me arsyetimin se cenonte skemën e pensioneve. Sot, historia përsëritet në komisione, ndërsa minatorët vazhdojnë të mbeten mes dy realiteteve: një ligji që njeh vetëm pensionin dhe një profesioni që konsumon trupin shumë përpara se të vijë pensioni.

Ligjet ekzistuese për minatorët trajtojnë vetëm fundin e jetës së punës, por jo jetën gjatë punës. Debatet parlamentare tregojnë se politika pranon rrezikun e profesionit, por nuk është gati të institucionalizojë mbrojtjen e tij. Statusi i minatorit mbetet kështu një çështje e pambyllur mes barazisë formale ligjore dhe pabarazisë reale shëndetësore e sociale, që çdo ditë zbret në galeri.

Sektori minerar në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë e të vazhdueshme të kapitalit njerëzor, e cila po rrezikon seriozisht vijimësinë e aktivitetit nxjerrës. Numri i studentëve në degët gjeologji–miniera ka rënë ndjeshëm krahasuar me dekadat e mëparshme, ndërsa kompanitë raportojnë vështirësi për të gjetur minatorë dhe specialistë të kualifikuar. Si pasojë, shumë subjekte janë detyruar të punësojnë punonjës të moshuar ose pa përvojë profesionale, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe duke ulur efikasitetin e punës.

Minierat në Shqipëri vijojnë të regjistrojnë një nga normat më të larta të aksidenteve në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian. Strategjitë kombëtare pranojnë se mungojnë trajnimet periodike, pajisjet moderne mbrojtëse dhe sistemet dixhitale për kontrollin e gazrave, ventilimit dhe stabilitetit të galerive, sidomos në minierat nëntokësore. Në këto kushte, siguria mbetet më shumë formale sesa funksionale, duke e bërë industrinë nxjerrëse një nga sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut profesional.