Ishte një ditë e nxehtë fund qershori, kur pashë që banorët e disa fshatrave në Suç të Klosit, kishin nisur protestat për mbrojtjen e lumit të Lusës. Ose më mirë të them përrua. Rrjedha vjen nga mali i Balgjait, ku edhe atje prej vitesh marrin kromin dhe pemët. Me vete them shpesh, eee bela që nuk të len rehat! Tani edhe kjo duhet. Mirë hallet e përditshme të atyre njerëzve dhe vështirësitë e jetës, por tani do të duhet të bëjnë edhe roje lumi që mos të shkatërrohet natyra me eskavator. Të futet uji në tub.
Kam shkelur çdo fshat të Dibrës. Por e them me plot gojën se fshatra më të bukur se në Suç të Klosit, zor gjenden. Toka të punuara. Kodrinor. Kisha dhe xhamia shumë afër njëra-tjetrës dhe harmonia fetare si në çdo cep të Shqipërisë. Parcelat me pemë frutore dhe njerëz punëtor. Kur flet me njërëzit dhe del nëpër fshat kupton se kjo zonë nuk është edhe aq e braktisur. Ka lëvizje. Emigrantë që kthehen. Kjo mbase e lidhur edhe me bujqësinë që ju ofron një vend pune këtyre banorëve. Bujqësia nuk do të ishte e zhvilluar nëse nuk do të kishte ujë. Të pijshëm dhe vaditës.
Të kthehem tek problemi. JOQ si media, shpesh në rrethin e gazetarëve anatemohet si jo profesionale. Në fakt them shpesh, mos vallë profesionalizmi në media na u shkatërrua nga JOQ apo shkërmoqja brenda sistemit!? Nejse. Debat pa lidhje me HEC-et. Por do të ishte kjo media që ju dha zë banorëve në këtë rast dhe e solli në vëmëndje. Në fakt ishin këta të fundit që ja nisën pamjet. Besimi është gjë e madhe dhe për fat keq, media tradicionale dhe gazetarët kanë kohë që janë në “pikiatë”.
Ujë, pluhur, makineri, dhe banorë që dilnin në mbrojtje të lumit të tyre – jo për t’u pasuruar, por për të mbijetuar. Në një kohë kur temperaturat rriten e vera bëhet e padurueshme, burimet natyrore nuk janë më luks, por në fshatra janë mbijetesë. Dhe ajo që më tronditi më shumë ishte mënyra se si njerëzit që ruajnë këto burime trajtohen si fajtorë, ndërsa ata që i shkatërrojnë i promovojmë si “zhvillim”.
Me sa pashë nga kontrolli i dokumentacionit, ky investim për ndërtim HEC-i në Suç nuk do të vinte nëse investitori nuk do të ishte në “gjirin” e partisë. E kur të don partia, hapen dyert. Leja e miratur me firmën e z. Rama dhe zonjës Balluku, u vendos në zbatim fill pas disa muajsh. Ose më mirë pas zgjedhjeve të 11 majit. Dihej se do të kishte protesta dhe reagime. Prandaj duhej të zgjatej një histori e tillë. HEC-i Doma është pjesë e një projekti më të gjerë për ndërtimin edhe të dy hidrocentraleve të tjera në lumin e Lusës.
Në këtë vend, kemi një mënyrë të çuditshme për të kuptuar përparimin: uji futet në tuba, toka mbulohet me beton dhe fshati braktiset. Po ndërtohen dhe janë ndërtuar hidrocentrale jo për të përmirësuar jetën e komuniteteve, por shpesh për interesa të mbyllura që as nuk jetojnë në këto zona, e as nuk marrin frymë aty ku lumenjtë shterrojnë. Madje HEC-e me një fuqi shumë të vogël prodhuese të energjisë, me një dëm shumë të madh në mjedis.
Për fat të mirë, beteja e banorëve të Suç-it më ngjan si një kala e fundit, pa rënë në dorë të HEC-eve.
Ato që ndodhin sot në atë zonë, nuk janë histori të veçanta. Janë pjesë e një tabloje më të gjerë të asaj që mund të quhet “gllabërimi i heshtur” i zonave rurale. Ujërat merren dhe zërat e banorëve injorohen. Protestat shtypen me polici. Kam vite që mbuloj çështje të tilla. Më duket si formulë matematikore që pas protestave vjen dajaku policor. Procedime penale dhe zvarrije prej vitesh nëpër dosje.
Dëgjesat publike për investime të tilla që kanë ndikim në komunitet, janë kthyer në formalitet bosh. Thirren në ora të çuditshme, me njoftime të mangëta, me dokumente teknike që askush nuk i kupton, dhe më pas vendimet kalojnë në heshtje. Kjo nuk është pjesëmarrje. Kjo është përjashtim dhe sa për të thënë, si ajo shprehja: “Më ka çuar nana me la gojën”.
E kam parë nga afër se si mungesa e mundësive e ka detyruar rininë të largohet nga këto fshatra. Shumë shtëpi janë bosh. Ne po e shaktërrojmë fshatin, jo vetëm nga burimet natyrore, por edhe nga njerëzit. Çdo rrjedhë lumi e ndalur është një rrjedhje shprese që shuhet, nga ata pak individ që në të ardhmen mund të kthehen të investojnë në fshatin e tyre. Bujtinë. Fermë apo dicka tjetër.
Dhe shteti? Në vend që të jetë mbrojtës i interesit publik, vjen si forcë që ruan kantieret. Si të mos mjaftonte harresa, tashmë fshati përballet edhe me frikën se çdo protestë mund të përfundojë me kallëzime penale apo më e keqja me burg. Institucionet e shtetit sot janë institucionet e partisë. Ti punon për zgjedhje e bën vota për “nënën parti”. Partia nga ana tjetër ta vendos shtetin në shërbim.
Unë nuk jam kundër investimeve. Por ato duhet të jenë të drejta, të qarta, dhe mbi të gjitha në dobi të komunitetit. Zhvillimi që nuk përfshin njerëzit, që shkatërron tokën, që nuk llogarit rrjedhën natyrore të ujit, nuk është zhvillim – është shkatërrim i heshtur, i miratuar me vula të parazitëve të administratës publike.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të mbrojmë atë që kemi. Ose më mirë të asaj pak gjë natyre që ka mbetur. Dhe nëse vazhdojmë e i injorojmë, një ditë nuk do të kemi më as zëra, as lumenj, as fshatra për të shpëtuar. Historia e ka treguar që kjo ndodh.
—
Ky opinion përfaqëson qëndrimin personal të autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet apo linjën editoriale të BI Media (Bulqizaime.al).









