Teksa duhet të flasim për dy gjëra të ndryshme, e marrim i fije në retrospektivë. Kur Festime Mjeshtri hyri në bashkinë e Bulqizës, si duket as vetë se besonte që ishte aty; i duhej diçka për të treguar se ishte në punë. Çupa që i menaxhon rrjetet social edhe çengijet që ka nga pas, filluan ta iluminonin. Ajo duhej të ishte afër popullit. E për këtë, Mjeshtri ju vardis festave të abetares. Nuk la shkollë e kopësht pa shkuar, sa herë që bëhej festë abetarje apo mbarimi të parashkollorit. Në qytetin e vogël të Bulqizës, me të drejtë nga shkollat filloi të dilte një legjendë; kemi frikë të bëjmë festën e abetares se vjen Festimja me ushtrinë e parazitëve të bashkisë, ku të dal në foto e ti postoj.
Ky ishte aktivitet argëtues i Festimes. Dil bëj foto me kalamajt e posto në rrjetet sociale. Por si duket kjo filloi të dukej e tepërt dhe u bë shumë bajat. Për fat të mirë, për këtë vit Festimja nuk doli në shkolla për festën e abetares. Si duket do i kenë thënë që nuk bën të vazhdojmë me këtë axhendë “kaq të ngjeshur” me festat e abetares dhe ajo, jua ka dëgjuar këshillën.
Kështu, u hodh në një terren të ri. Në vend të shkronjave të abetares, kemi nisur të shohim postime me dokumente shtetësie. Tani ka nisur një tregim të ri të patriotizmit institucional: “Në zyrën time trokiti çifti… që pas shumë vitesh në emigrim mori shtetësinë etj.” Ajo, ose më mirë ata që e mësojnë të bëj gjëra të tilla, nuk na e shpalos këtë histori thjesht si një procedurë burokratike për shtetësi. Por si një aktivitet me shumë rëndësi.
Kjo mbase mund të jetë sport i dashur për Festimen, dhënia e shtetësisë. Por është pikërisht ky proces që e ka vënë njëherë në qendër të akuzave, kur ajo si kryetare bashkie dhe vëllai i saj si administrator i njësisë Ostren, u përfshinë në një skandal që përfundoi me arrestimin e këtij të fundit. Ai u akuzua si pjesë e një grupi që lëshonte vërtetime të rreme origjine për persona që kërkonin pasaportë bullgare, edhe pse shumë prej tyre nuk kishin asnjë lidhje me zonën e Gollobordës. Në një kohë kur të gjithë duan të ikin, çdo derë që hapet drejt pasaportës së një vendi të BE-së, kthehet në një mundësi që kapet me çdo kusht e formë.
Pikërisht në një kohë kur qyteti është më i boshatisur se kurrë më parë, vazhdon eksodi i heshtur i njerëzve që humbasin çdo ditë besimin se mund të ndërtojnë jetën këtu. Çdo familje ka dikë që ka ikur ose po përgatitet të largohet. Madje edhe ata që e rrethojnë Festimen, ose i kanë dërguar fëmijët jashtë me kohë ose po shohin për diçka si mundësi për ti larguar. Ata marrin dhenë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, jo thjesht për një punë më të mirë, por për një jetë me më shumë dinjitet dhe siguri. E këtu për të mos ja vënë barrën e fajit vetëm Festimes. Do të ishte jo e drejtë dhe shumë e rëndë për të. Por kjo më shumë si ilustrim, se si politikisht promovohen njerëz në Shqipëri si Festimja në Bulqizë dhe Zegjineja e Roskovecit. E si për çudi të dyja vijnë nga shkolla politike e Belinda Ballukut. Kjo e fundit besoj se duhet të jetë shumë krenare për nxënëset e saj.
Mjeshtri dhënien e shtetësive dhe betimet i interpreton si një akt të madh simbolik dhe që shkon përtej dokumentit. Se po të ishin këtu, emigrantët që marrin shtetësinë, do të lemeriten për pak ditë. Se si qyteti keq administrohet. Ata e dinë dhe prandaj nuk jetojnë në Bulqizë ose më mirë në Shqipëri. Prandaj dhe kjo duket simbolikë e bukur.
Se si administrata fryhet çdo ditë me qindra “parazitë” që mbushin zyrat. Njerëz që e vetmja gjë që dinë të bëjnë është like e komente në Facebook e instagram. Ku tani fatmirësisht edhe me AI mund të shkruajnë komente edhe më të gjata që të duken më të zgjuar. Dukja digjitale ka shumë rëndësi. Se si infrastruktura në fshatrat e njësive administrative është për faqe të zeze. Investimet janë katandisur me një “copë” buxheti bashkie që më shumë shkon për shpenzime e paga për qindra “parazitë”, se sa për investime. Afro 70% e buxhetit të bashkisë shkon për paga dhe shpenzime operative të administratës. Janë ata që të vetmen punë që kanë janë për të bërë pëlqime, komente dhe shpërndarje. Gjithashtu për figurantë e patronazhim gjatë fushatës zgjedhore.
Me rritjen e pagave, servilizmi në administratë jo vetëm që nuk është zbutur, por është thelluar dhe institucionalizuar edhe më shumë. Sot, një kryetare bashkie, nënkryetar bashkie, drejtor apo administrator njësie merr një pagë më të lartë se një mjek që shpëton jetë. Më shumë se një infermier që punon natën në urgjencë. Me shumë se një mësues që përgatit breza dhe me dekada eksperiencë pune. Më shumë se një zjarrfikës që hyn mes flakëve për të shpëtuar jetë. Më shumë se një polic. Më shumë se një punonjës i ndihmës sociale që përballon hallet e familjeve në nevojë. Më shumë se një elektricist që ngjitet në shtyllë në mes të shiut e borës për të rregulluar defektet. Më shumë se një pastrues rruge që ngrihet në agim për të mbajtur qytetin të pastër. Për këta të fundit, por edhe ata pak punëtorë të shërbimeve publike, kam një keqardhje sepse punojnë në kushte shumë të vështra dhe i gjen çdo ditë në krye të detyrës. Ndërkohë janë njerëzit më të keqpaguar dhe më pak të respektuar.
Është rezultat i një kohe ku po jetojmë, ku servilizmi shpërblehet më shumë se përkushtimi, ku besnikëria ndaj partisë vlen më shumë se kontributi ndaj komunitetit. Natyrisht, ka edhe përjashtime – disa punonjës të ndershëm, të pakët, që punojnë me integritet e përgjegjësi, shpesh pa zë. Por shumica e administratës fryhet nga emërime politike që nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë, veçse për të bërë “like” në rrjetet sociale dhe për të duartrokitur kur duhet në zgjedhje e takime me gjoja komunitetin.
Jo më kot ata që ikin dhe ata që marrin pasaportën nga Festimja nuk do të jetonin në këtë qytet.
Festime Mjeshtri është pa dyshim drejtuesja me performancën më të dobët që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Bulqizës. Në dy vite drejtim, ajo nuk ka realizuar asnjë projekt madhor me ndikim në jetën e qytetarëve, por edhe nuk ka ditur të menaxhojë as shërbimet më bazike që i takojnë një bashkie. Ku në fakt dihet që kryetarët defakto të bashkisë dhe ata që i drejtojnë punët dhe dallaveret, janë tjetër kush.
Propaganda boshe ma pasaporta mund të ngjaj bukur për pak kohë. Por se mbulon dot mizerjen ku ndodhet ky qytet.
—
Ky opinion përfaqëson qëndrimin personal të autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet apo linjën editoriale të BI Media (Bulqizaime.al).









