Valbona Selimllari flet për punën në Bashkinë e Tiranës

539

Prej më shumë se një muaji, Miss-i i përjetshëm shqiptar, siҫ është konsideruar bukuroshja Valbona Selimllari, ka nisur një punë të re pranë Bashkisë së Tiranës. Ndryshe nga të gjitha punët që bën prej vitesh, nga programet televizive në të cilat ka marrë pjesë apo nga projektet brenda dhe jashtë ekranit, të qenit këshilltare e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të është një privilegj.

Propozimit që i erdhi fillimisht nga një mikeshë e saj e më pas edhe nga Erion Veliaj, Valbona nuk i tha dot JO. Jo sepse nuk kishte një projekt në duar, por sepse mësoi se pjesë e kësaj pune të re do të ishin ҫështjet sociale, njerëzit në nevojë, fëmijët dhe ҫdo problematikë që ka të bëjë me ta.

Asgjë e lidhur me politikën, asgjë e lidhur me imazhin e saj, puna e re, edhe pse është ende në hapat e parë, nuk ka të bëjë me Valbonën si personazh i njohur i ekranit, por me përkushtimin që ish Miss Albania do të ketë pranë kësaj bashkie.

E ftuar këtë pasdite në “Pasdite në Top Channel”, Valbona ndau me publikun ndjesitë e para që i ka dhënë ky angazhin i ri pranë bashkisë. E pyetur si është ndier në vizitat e para pranë njerëzve në nevojë, Valbona tregon me shumë emocion: “Kam mbetur e surprizuar nga ata fëmijë … Unë nuk e dija, por një pjesë e fëmijëve që kemi vizituar merreshin nga rruga dhe aty u shpjegoheshin pse nuk duhet të rrinë në rrugë.…“

Puna me fëmijët, për Valbonën është puna më e bukur, sepse ajo e ka ditur gjithmonë gjuhën e tyre, sjelljen që duan dhe që i bën për vete. Por kjo nuk do të thotë kurrsesi se do të qëndrojë jashtë përgjegjësive, përkundrazi – me tërë ëmblësinë e saj, Valbona u ka vënë edhe kushte fëmijëve që trajtohen nga qendrat sociale: “Unë u kam dhënë edhe detyra atyre fëmijëve. Pasi mbaruan koncertet, u thashë se do të bëjmë një gjë. Nëse ju silleni mirë, në fund të këtij muaji, ne do këndojmë bashkë. Unë do bëj një këngë shumë të bukur për ju dhe pas kësaj, do të bëhet nami… Ishte një projekt joreal, por që mund të bëhet i tillë. Ishte diҫka që më lindi nga shpirti dhe do ta mbaj fjalën…” – thotë bukuroshja pa e fshehur emocionin.
Po si është të punosh me Erion Veliajn?

Valbona me Erionin njihen herët, prej vitesh. Nuk ishte kjo përballja e parë mes tyre: “Unë Erionin e njoh shumë, shumë herët. Nëse propozimi për të qenë pjesë e bashkisë, nuk do të vinte edhe nga ai, unë nuk do të isha në këtë pozicion. Është një djalë me ambicie, është punëtor, nuk e imagjinoni dot se ҫfarë është ai… “

Por ka një përgjigje edhe për anën tjetër të medaljes – komentet skeptike pas kësaj deklarate: “Erioni e meriton dhe jo si kryebashkiak. Mua më vjen shumë mirë që pas kaq vitesh, edhe në bashki kam gjetur atë Erionin që njoh unë… Ne, personazhet e ekranit, duhet ta pranojmë një gjë: nuk na duan të gjithë. Ka edhe nga ata që më thonë “tani që ke filluar kët녔, mendojnë se po merrem me politikë. Unë nuk kam asnjë qasje politike. Jam njeri që vlerësoj atë që bëhet…”

E pyetur nëse është një punë që mund ta përballojë si kohë fizike, Valbona thotë se, përveҫ faktit që i fal shumë kënaqësi, është një punë që mund ta përballojë, sepse funksionon me projekte: “Unë e kam angazhim të përkohshëm ose më saktë, është angazhim i përhershëm, por me disa faza.” Me këtë rast, nuk do të lërë pas dore as fëmijët, por edhe ata do t’i marrë me vete. Ka shumë rëndësi që edhe tre fëmijët e saj ta prekin atë realitet, pse jo të bëhen pjesë e aktiviteteve me fëmijët ku është edhe nëna e tyre e, pse jo, t’i prekin këto situata e të jenë aktivë për të kuptuar se ka shumë njerëz që kanë nevojë për fare pak nga të gjithë ne, përkushtim e dashuri.

Kështu, Valbonën do ta shihni më shpesh me projekte të reja pranë Bashkisë së Tiranës, por jo si imazh, por si një nënë që do të japë sa të mundet për njerëzit në nevojë: “Unë nuk mendoj që imazhi i bashkisë ka nevojë për imazhin e Valbonës. Unë nuk do të jem as për imazh dhe as për mesazh. Bashkia është e mirëstruktuar që t’u dalë ballë të gjitha projekteve… Unë do të jap kontributin tim…”